Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka folur në emisionin Pressing në T7 për një situatë në një vizitë të jashtme ku ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte fyer e përqeshur.
Sejdiu thotë se bëhej fjalë për hapjen e “frontit të jugut” në kohën kur Serbia po luftonte me Kroacinë dhe ishte nënshkruar Marrëveshja e Karagjorgjevës për ndarje të Bosnjës nga ana e ish-presidentit kroat Franjo Tugjman dhe Millosheviqit.
“Nuk kemi qenë të nënshtruar. Bëhej presion të hapej fronti i jugut. Marrëveshja e Karagjorgjevës ku Tugjmani donte gjysmën e Bosnjës dhe thoshte Kosova është punë e brendshme Serbisë të bëhet çfarëdo me të. Dhe fatkeqësisht disa njerëz, të cilët ndoshta nuk e kanë lexuar sa duhet dhe në një vizitë që ka pasur atje i është bërë edhe fyerje presidentit. Nuk dua ta them. Nuk është njeri nga Kosova por atje. Fyerje shumë e madhe që nuk po bënte asgjë, po frikësohesh e të ngjashme. Tipet e krahasimeve që i bënin ishin jashtëzakonisht injoruese për figurën e tij”, e përshkruan ngjarjen Sejdiu.
“Për shembull, ajo ideja për Rrugën e Kombit, për Rrugën e Arbërit dhe njerëzit e përqeshnin pasi nuk kishte ç’të bënte tjetër. Ishin gjëra interesante, por e thashë jo pa qëllim. Kjo shoqatë që kanë qenë diku 10-15 veta e ka ringjallur Universitetin e Prishtinës. Kanë qenë njerëz të përkushtuar”, shtoi ai. /Gazeta Express/