




Fjalimi i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, dje në Kuvend, për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikuar, është shpërndarë dhe komentuar, por jo për përmbajtjen.
Deputetja Kurti gjatë fjalimit në seancë ku u debatua për krijimin e një byroje për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është ndalur disa sekonda dhe më vonë lexonte fjali që tingëllonin të paqarta.





Ajo sot ka thënë se është dekoncentruar gjatë fjalimit të djeshme dhe se ajo nuk ka qenë një ditë e lehtë për të. Ndërsa ata, që Kurti beson se po e shpërndajnë për motive politike, thotë se i kupton “pasi kanë bërë gabime aq të mëdha në politikë, sa nuk mund të ringjallën më”.





“Po, dje jam dekoncentruar gjatë fjalimit. Nuk ka qenë një ditë e lehtë për mua. Tash disa po e shpërndajnë atë pjesë. Të gjithë i kuptoj. Jemi persona publikë dhe sigurisht edhe subjekt i komentimit. E pranoj si normale. Edhe ata që e shpërndajnë me motive politike i kuptoj. Kanë bërë gabime aq të mëdha në politikë sa nuk mund të ringjallen më”, ka shkruar deputetja sot në Facebook.
“Qoftë ky gabimi im më i madh. Për kaq, më duron ndërgjegjia. E ata që po më shkruajnë në mbështetje – situatat i bëjnë njerëzit. Situatat dhe qëndrimi mbi to e bëjnë jetën. Ju faleminderit, jam vërtetë e prekur!”.