“Në arkivat sekrete ruse 1946-1961 deklasifkuar vitet e fundit gjendet edhe kjo letër e Enver Hoxhës që mban datën 2 shtator 1949.
Ajo i drejtohet Stalinit dhe aty Hoxha shkruan mbi nje “premtim të pambajtur të Titos”.
Tito i kishte premtuar Hoxhes se “Kosova është e Shqipërisë pas luftës”.
“Më premtoi qe do na rikthehet, por tashmë e mohon me pretekstin se një veprim i tillë hap probleme. Politika aktuale e Titos për Kosovën dhe Metohinë vazhdon të bëhet më diskriminuese. Tito nuk i lejon që krahas flamurit jugosllav, ata të mbajnë dhe flamurin shqiptar. Kërkojmë që Ju të ndërhyni – shkruan Hoxha.
Më poshtë, letra e plotë:
Shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Republikën Jugosllave, përbëjnë një minoritet të konsiderueshëm. Ky minoritet shqiptar jeton ngjitur kufirit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Kongresi i Berlinit dhe
traktati i Versaille-s kanë shkelur padrejtësisht interesat e Shqipërisë dhe të minoritetit shqiptar në Kosovë.
Sipas statistikave të vjetra të paraluftës, (statistika të falsifikuara nga regjimet e kralëve të Serbisë, me qëllim që të provonin se ky minoritet shqiptar ish i vogël), figurojnë afro 700 000 shqiptarë. Në të gjithë Jugosllavinë: Kosovë, Metohi, Maqedoni e Mal të Zi, numri i shqiptarëve mund të arrijë një milion veta në mos më shumë. Në këto statistika, një pjesë tjetër të shqiptarëve, regjimet e atëhershme, janë përpjekur ta masakrojnë duke e quajtur myslimane ose turke.
Shqiptarët e Kosovës, Metohisë, etj., e kanë konsideruar kurdoherë dhe vazhdojnë ta konsiderojnë si një padrejtësi të madhe që ju është bërë atyre duke i shkëputur nga Shqipëria, Atdheu i tyre. Ata nuk e kanë pranuar këtë zgjidhje dhe nuk pranojnë të rrinë nën Jugosllavinë dhe nën çdo regjim ekzistues në Jugosllavi. Ky është realiteti. Ata kanë për të vetmin ideal, bashkimin me Shqipërinë.
Gjatë kohës së luftës, fashizmi dhe reaksioni shqiptar u mbështetën në këtë realitet. Këta e ngritën çështjen e Kosovës dhe e “bashkuan” Kosovën e Metohinë me Shqipërinë nën parrullën “Shqipëria e Madhe”. Me këtë taktikë fashizmi bëri një punë demagogjike të madhe që pati si rezultat neutralizimin e shqiptarëve të Kosovës, i pengoi këta të hidheshin në luftën kundra fashizmit duke u lënë iluzionin se ëndrra e tyre u realizua d.m.th. “bashkimi me Shqipërinë, pra nuk kish sepse të luftonin kundra fashizmit”.
Nën këtë iluzion, se fashizmi “çliroi” shqiptarët e Kosovës nga robëria jugosllave dhe i “bashkoi” me Shqipërinë, Kosova u bë një rezervë e fashizmit dhe e reaksionit. Lufta Nacionalçlirimtare atje nuk u zhvillua. Kjo nga një anë. Nga ana tjetër ne mendojmë se Partia Komuniste Jugosllave që në atë kohë, në vjetët 1941, 1942 e vazhdimisht ka pasur një vijë politike të gabuar për sa i përket çështjes nacionale dhe kjo ka qenë një vijë nacionaliste e maskuar që në atë kohë. Partia Komuniste Jugosllave duhej t’i kishte vënë një rëndësi të veçantë gjatë luftës çështjes së Kosovës dhe Metohisë, pse ishte një minoritet i konsiderueshëm dhe ngjitur kufirit shqiptar. Ish një problem i rëndësishëm që i duhej gjetur një zgjidhje e drejtë marksiste-leniniste-staliniane në mënyrë që populli shqiptar i Kosovës të mos bëhesh rezervë e reaksionit. Që në kohën e luftës, Partia Komuniste Jugosllave duhej t’u çilte perspektiva të drejta shqiptarëve të Kosovës, perspektiva që do t’i mobilizonin këta në luftë kundra fashizmit.
Çështja kryesore qëndronte që shqiptarët e Kosovës duhej të ishin të sigurtë që duke luftuar fashizmin përkrah popujve të Jugosllavisë do të ishin të lirë të vetëvendosnin për bashkimin me Shqipërinë, ose për Bashkimin me Jugosllavinë, ose për të qëndruar autonom. Këto dy variantet e fundit ne mendojmë se do të ekskludoheshin pse shqiptarët e Kosovës nuk do të luftonin dhe nuk do të vetëvendosnin përveç se për variantin e parë. Këtë sigurisht e ka pas të qartë Partia Komuniste Jugosllave, por kjo gjë nuk ju leverdiste dhe prandaj ajo ka qenë e errët në deklaratat e saj principiale. Kjo bëri që populli i Kosovës nuk u mobilizua në luftë, pse nuk mund të kishte besim në drejtësinë e “Jugosllavisë” qoftë kjo e përfaqësuar nga Partia Komuniste Jugosllave. Kosovarët nuk e shihnin këtë drejtësi nga Partia Komuniste Jugosllave dhe niveli i ulët i tyre politik prapambetja e masave, demagogjia e fashizmit, krijimi i “Shqipërisë së madhe” bëri që shqiptarët e Kosovës të mos luftonin kundra fashizmit, bile të luftonin kundra luftës Nacionalçlirimtare në Jugosllavi.
Shqiptarët e Kosovës, pas masakrave të mëdha të serbo-mëdhenjve dhe në një gjendje politike të unjët, nuk mund të kishin besim tek “jugosllavët” cilët do qofshin këta. Partia Komuniste Jugosllave e neglizhoi këtë moment dhe kjo nuk ishte e rastit. Organizimi i luftës Nacionalçlirimtare në Kosovë nën drejtimin e Partisë Komuniste Jugosllave u bë në këtë frymë nacionaliste: Partia Komuniste jugosllave nuk krijoi asnjë komitet nacional të veçantë për Kosovë e Metohi ku udhëheqja të ishte kryesisht shqiptare dhe të organizonte Partinë dhe luftën dhe të specifikohesh çështja e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë. Këtë jo vetëm që nuk e ka bërë, por Partija Komuniste Jugosllave, është përpjekur që të mos e ngrërë në asnjë mënyrë çështjen e Kosovës, të mos ngrërë masat shqiptare të Kosovës në frymë patriotike, të mos i lejonte këta që krahas me flamurin jugosllav, të mbanin dhe flamurin shqiptar, (shenjë e madhe simbolike për këta që do të bëhej një mjet mobilizues i tyre). Por Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave i ka shtypur këto aspirata të popullit të Kosovës, i ka luftuar, i ka dënuar kur ne i kemi çfaqur dhe propozuar.
Pikëpamjet tona kanë qenë se nuk mund të ngrinin çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë gjatë kohës së luftës, por shqiptarët e Kosovës duhej të luftonin kundra fashizmit në kuadrin e Jugosllavisë dhe mbas fitores kjo çështje do të zgjidhej nga të dy partitë komuniste motra dhe nga regjimet demokratike popullore që do të vendose-shin në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Për mobilizimin më të mirë të shqiptarëve të Kosovës në këtë platformë ne i kemi çfaqur mendimin Vukmanoviç Tempo-s (ahere përfaqësues i KC të PKJ për organizimin e luftës në Maqedoni), se duhej të mendohej nga ana e tyre çështja e pjesëmarrjes në numër të madh të elementëve shqiptarë në pushtet, çështja e flamurit, si dhe bashkëpunimi shumë i ngushtë i këtyre çetave shqiptare të Kosovës në luftën Nacionalçlirimtare të vendit tonë, duke qenë këto çeta kosovare kurdoherë të lidhura dhe të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë N. Ç. jugosllave. Kemi kërkuar gjithashtu zyrtarisht që një njësit partizan shqiptar të kalonte në territorin e Kosovës, për të mobilizuar popullin shqiptar atje në luftë të armatosur kundra fashizmit. Theksojmë se në këtë moment s’ka pas asnjë organizim të Partisë dhe të luftës në Kosovë dhe Metohi. Milutin Milutinoviç, anëtar i Komitetit Central të PKJ, i cili në atë kohë organizonte luftën në Mal të Zi, i është përgjigjur kërkesën sonë kështu “s’është nevojë të dërgoni ju njerëzit tuaj në Kosovë, ne do të dërgojmë një divizion i cili do të rregullojë punët në Kosovë”. U vërtetua më vonë se divizioni i dërguar prej jugosllavëve në Kosovë e Metohi ishte një divizion punitiv që mbolli terror. Për këto opinione të çfaqura nga Miladin Popoviçi dhe meje, Titua në një letër që i drejtonte Miladin Popoviçit e akuzonte këtë për devijim nacionalist dhe e godiste rëndë. Pra shqiptarët e Kosovës nuk e kanë pranuar në asnjë moment zgjidhjen që i kish dhënë PKJ si në kohën e luftës ashtu edhe në këtë të pasluftës. Krijimi i krahinës autonome të Kosovës e Metohisë që nuk është tjetër përveç se një demagogji nuk ka bindur asnjë shqiptar të Kosovës dhe idealet e tyre s’po realizoheshin d.m.th. dëshira e bashkimit të tyre me Shqipërinë.
Pas persekutimeve dhe masakrave të kohës së kral Aleksandrit, shqiptarët e Kosovës njohën dhe masakrat e momenteve të para të çlirimit të Jugosllavisë. Këto masakra u bënë prej njësiteve të Ushtrisë N.Ç. të Jugosllavisë. Dhe në këtë rast se u krijua një farë besimi karshi Partisë Komuniste Jugosllave gjatë luftës, me këto reprezalje të pajustifikueshme por që tregojnë pikëpamje shoviniste të udhëheqjes së P.K.J. që në atë kohë, populli shqiptar i Kosovës humbi çdo besim. Për ta serbo-mëdhenjtë dhe udhëheqja e P.K.J. ishin njësoj. Kundra këtyre reprezaljeve shqiptarët e Kosovës reaguan dhe daullen në mal. P.K.J. i shtypi në gjak duke i cilësuar si kryengritje të reaksionit. Në asnjë moment P.K.J. nuk e studjoi situatën specifike të Kosovës e Metohisë, por veproi brutalisht dhe Kosova e metohia do të bëhesh një qendër lufte në gjirin e R.P.J. të porsa lindur në rast se vajtja e reparteve të Ushtris Partizane Shqiptare në Kosovë nuk do të bëhesh. Vajtja e Ushtris Shqiptare në Kosovë i qetësoi punët, i ftohu gjakrat, krijoi besimin në shqiptarët e Kosovës se çështjet do të rregulloheshin dhe u krijua bindja se ushtria tonë do t’i mbronte kosovarët sikundër që i mbrojti. Repartet tona penguan persekutimet e shqiptarëve të Kosovës nga ana e jugosllavëve.
Pra P.K.J, ish që nga fillimi dhe gjer në çlirimin dhe pas në pozita shoviniste-nacionaliste karshi Kosovës e Metohisë.
Nën Pushtetin Popullor të Jugosllavisë çështja e Kosovës dhe Metohisë përsëri nuk pati një zgjidhje të drejtë. Zgjidhja vazhdonte në rrugën nacionaliste. Për demagogji u hapën disa shkolla shqiptare. Në Pushtet u zgjodhën disa shqiptarë, por këto masa as gënjyen dhe as kënaqën njeri në Kosovë e Metohi. Të drejtat demokratike dhe nacionale të minoritetit shqiptar të Kosovës merreshin nëpër këmbë. Asnjë lidhje me Shqipërinë, bile P.K.J. i pengonte me insistim dhe me mjeshtëri.
Ne kemi menduar se çështjen e Kosovës nuk mundej ta vinim në diskutim gjatë Luftës N.Ç. dhe se vija e Partisë sonë sikundër që e përcaktuam më lart ish e drejtë. Jugosllavja në Luftën N.Ç. ishte aleatja e popullit tonë dhe nuk mundet të binim në pozitat e reaksionit shqiptar Partia e jonë ka mbajtur qëndrim për Kosovën dhe ka dalë me sukses kundër demagogjisë fashiste, ka shpallur deklarata të përbashkëta me PKJ. shqiptarëve të Kosovës, ku i thërriste këta në luftë kundra armikut të përbashkët.
Në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë përsëri ne kemi menduar se nuk mundej ta shtronim çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, pse ishim përpara detyrave të forcimit e konsolidimit të pushteteve tona demokratike popullore. Ne kemi menduar se tek Jugosllavia Demokratike Popullore dhe tek Partia Komuniste e Jugosllavisë kishim një aleate besnike dhe të fortë dhe në interesin e Kampit të Socializmit dhe veçanërisht në interesin e Shqipërisë, duhej të evitonim situata të vështira që mund të krijoheshin në Jugosllavi me qenë se dhe atje ishte duke u mëkëmbur e duke u forcuar regjimi demokratik popullor. Por rektifikimi i kufijve tona në drejtimin e bashkimit të Kosovës e Metohisë me Shqipërinë në çdo moment është forcimi i Republikës Popullore të Shqipërisë. Nga ana tjetër në kohët e para të çlirimit Demokracia Popullore e Shqipërisë së vogël, ishte një shenjë më e lehtë për goditje nga ana e imperializmit dhe në rast sulmi të Shqipërisë nga imperializmi formonte një humbje më të madhe për çështjen e përbashkët. Kosova ishte më pak në rrezik duke qëndruar në kohët e para e bashkuar me Jugosllavinë. Por situatat u zhvilluan, pozitat e Republikës Popullore të Jugosllavisë u forcuan në lëmin ndërkombëtar dhe të brendshëm. U nënshkruan traktatet në mes të BRSS dhe Jugosllavisë e Demokracive të tjera Popullore. Pozitat ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ato të brendshmet gjithashtu u forcuan dhe nënshkrimi i traktatit në mes Jugosllavisë e Shqipërisë ish një konsolidim i shëndoshë i pozitave ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e mbronte këtë nga kërcënimet eventuale të imperializmit.
Kështu që në kohën e nënshkrimit të traktatit me Jugosllavinë ne kemi menduar se ish momenti që çështja e Kosovës e Metohisë duhej të shtrohej dhe në këtë moment kjo çështje ju shtrua prej meje Titos. Titua m’u përgjigj: “se Kosova është shqiptare dhe kjo duhet të bashkohet me Shqipërinë; ne me gjithë shpirt e dëshirojmë këtë, por nuk mundet ta bëjmë dot tani se reaksioni serbo-madh është akoma i fortë dhe një akt i tillë i drejtë do të na dëmtojë”. Këto të gjitha u vërtetuan se ishin demagogji.
Në situatat e tashme pas zbulimit të tradhtisë së grupit Tito, ne mendojmë se çështja e Kosovës duhet të shtrohet. Titua me shokët e tij janë agjentë të imperializmit dhe e lidhën Jugosllavinë në qerren e imperializmit. Ata po e shndërrojnë Jugosllavinë në një burg popujsh ku mbretëron terrori fashist hitlerjan. Vihet se çështje urgjente çlirimi i popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste dhe nga kthetrat e imperializmit dhe njëkohësisht del çështja e çlirimit të popullit shqiptar të Kosovës.
Çlirimi i popujve të Jugosllavisë ne mendojmë se do të bëhet me luftë dhe me gjak, rrugë tjetër nuk ka. Duhet të rrëzohet dhe të asgjësohet klika. Nën drejtimin e proletariatit jugosllav dhe e udhëhequr nga një Parti e Re Komuniste, me baza marksiste-leniniste-staliniane, internacionaliste, të zhvillohet lufta për çlirimin nacional të Jugosllavisë. Në kondita të reja, ne mendojmë se jemi po atje ku ishim në fillim të luftës N.Ç. kundra fashizmit. Në Jugosllavi duhet të zhvillohet një luftë e ashpër deri në kryengritjen e armatosur kundra fashistëve imperialistë dhe veglave të tyre të brendshme me agjentin Tito në krye.
Ne mendojmë se nga lufta e ashpër kundra klikës e imperialistëve, do të dalë udhëheqja e Partisë së Re Komuniste, internacionaliste jugosllave e cila do të mobilizojë dhe do të udhëheq popujt e Jugosllavisë në luftë, me parime të drejta marksiste-leniniste-staliniane duke luftuar njëkohësisht në mënyrë të ashpër të gjitha tendencat nacionaliste që kanë ekzistuar dhe që është rrezik të ekzistojnë edhe më vonë gjatë zhvillimit të luftës. Veçanërisht problemi nacional, duhet të jetë një problem që kërkon një zgjidhje të shëndoshë, pse andej varet fakti dhe zhvillimi i madh i luftës.
Ç’farë do të bëjë populli i Kosovës tashti? Ne mendojmë se populli shqiptar i Kosovës, Metohisë, Maqedhonis dhe Malit të Zi duhet të luftojë që të çlirohet ashtu si do të bëjnë dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë. Gjëja e parë që ai duhet të bëjë është të futet në luftë të ashpër pa kompromis kundra klikës së Titos deri në kryengritjen e armatosur. Luftën ai duhet ta fillojë sa më parë. Në qoftë se e fillojnë të tjerët ca më mirë pse kështu evitohet izolimi dhe shtypja e lëvizjes në Kosovë. Populli i Kosovës duhet ta konsiderojë luftën e tij të lidhur ngushtë me luftën e gjithë popujve të Jugosllavisë në kuadrin jugosllav, pse ndryshe izolohet dhe shtypet. Duhet që populli shqiptar i Kosovës të kuptojë se çlirimi i tij dhe fitimi i të drejtave demokratike dhe nacionale munden të arrihen me bashkimin e luftës së tij me luftën e popujve të tjerë të Jugosllavisë.
Por çështja është se gabimet e P.K.J. nuk duhet të përsëriten në lidhje me Kosovën e Metohinë. Kosova e Metohija duhet të ketë udhëheqjen e vet të dalë nga lufta, me një Komitet Nacionalçlirimtar i cili të përcaktojë vijën e luftës në bazë të Rezolutës së Byrosë Informative dhe në parimet marksiste-leniniste-staliniane. Në luftë të krijohet, të organizohet dhe të çelikoset pjesa e Partisë Komuniste Internacionaliste për Kosovë e Metohi brenda kuadrit të partisë Komuniste Internacionaliste Jugosllave. Shqiptarët e Kosovës dhe Metohisë të luftojnë me flamurin shqiptar. Njësitet të udhëhiqen nga shqiptarë të dalë nga lufta dhe parimi i vetëvendosjes pas çlirimit të jetë i qartë dhe si konsekuencë e luftës së ashpër që populli shqiptar i Kosovës do të bëjë kundra klikës së Titos dhe imperializmit, në vëllazërim me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Ndjenjat patriotike internacionaliste dhe dashurija për atdheun e tyre, Shqipërinë, duhet të zhvillohen në shqiptarët e Kosovës e Metohisë. Përmbi çdo gjë në shqiptarët e Kosovës e Metohisë duhet të krijohet me baza të shëndosha besimi dhe dashuria e pakufishme për BRSS, për Partin Bolshevike, për STALIN-in dhe kosovarët të kuptojnë mirë se pa këta nuk ka Shqipëri të lirë, as Jugosllavi të lirë, as Kosovë të lirë dhe as që mundet të përmbushen kurrë aspiratat e tyre. Shqiptarët e Kosovës të kuptojnë mirë se armiku i pamëshirshëm i tyre dhe i tërë Kampit është imperializmi amerikan, satelitët e tij dhe klika e Titos, e cila nuk është gjë tjetër përveç se agjentura e tij.