Kryetarja e Grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimosa Kusari-Lila ka thënë se marrëveshja për faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në veri të vendit, do t’i sanojë dëmet që i janë shkaktuar buxhetit të Kosovës.
Kusari-Lila ka thënë se që nga paslufta nuk ka pasur faturim të energjisë në katër komunat veriore dhe kjo i ka shkaktuar mjaft dëm buxhetit të Kosovës.
Shefja e deputetëve të VV-së, shpreson në zbatim të suksesshëm të kësaj marrëveshjes, duke thënë se po bëhet funksionimi i shtetit ligjor në tërë territorin.
“Udhërrëfyesi për marrëveshjen për energjinë është e rëndësisë e cila sanon dëmin e mëtutjeshëm i cili i është bërë buxhetit të Kosovës dhe natyrisht edhe ligjshmërisë në Kosovë sepse nuk ka pasur faturim për këto 23 vjet të energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit. Prandaj kthimi i normaliteti është një arritje tepër e madhe pas periudhës së çlirimit të Kosovës dhe shpresojmë që edhe zbatimi i saj të shkojë pa probleme të përcjellë të cilat zakonisht mund të dalin ose të provokohen nga ana e Serbisë. Por jam e bindur se me zbatimin e suksesshëm të kësaj marrëveshje ne hyjmë në një etapë të re në të cilën funksionimi shtetit ligjor dhe natyrisht autoriteti të institucioneve bëhet pa dallim në gjithë territorin e Kosovës”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila ka folur edhe për mungesën e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Sipas saj, mesazhet janë pozitive në raport me procesin e vendimmarrjes dhe vetëm kur të vendoset do ta kenë qëndrimin e tyre.
“Ne jemi kufizuar dhe mbesim të përkushtuar që të mos flasim për diçka e cila nuk është vendim i yni. I yni ka qenë që të plotësohen të gjitha kriteret dhe janë plotësuar. Padrejtësisht Kosova ka mbetur pa liberalizim. Mesazhet janë pozitive në raport me procesin e vendimmarrjes dhe vetëm kur të vendoset dhe kur të bëhet publike do të jetë qëndrimi ynë si Kosovë i prezantuar sepse është proces tepër shumë i vonuar. Prandaj nuk bënë që Kosova të trajtohet në standard i cili shkon më ulët se vendet tjera por duhet të jetë në të njëjtin nivel sepse në shumë sfera ka bërë përparim shumë të madh. Ne po themi se kjo është e vonuar dhe është dashur të ndodhte më herët andaj ne do të bëjmë maksimumin e mundshëm në secilin moment që të jemi të përkushtuar në kryerjen e detyrave tona dhe kjo padrejtësi që iu ka bërë qytetarëve të hiqet sepse kosovarët nuk e meritojnë një trajtim të tillë”, tha ajo./eo