“Institucionet e Kosovës ende po heshtin pasi pak ditë më parë presidenti i Serbisë paralajmëroi një konflikt në veri të vendit. Madje si gjithmonë sipas programit millosheviçian, shqiptarët do të jenë fajtorë për çdo gjë.
Po ashtu ditë më parë, për pasiguri në veri, dhe rreziqe të dhunës dhe të aktiviteteve serbe, paralajmëroi edhe raporti i AKI-së në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Inteligjencës.
Kërcënimi serb për konflikt në veri
Sipas raportimeve që dolën nga Komisioni, ka ‘ndërhyrje dhe aktivitete të shtuara nga Serbia me strukturat paralele, por edhe me organizata radikale’.
Duke iu referuar raportit të AKI-së, kryetarja e këtij Komisioni Kuvendar, Ganimete Musliu deklaroi: “Serbia përmes strukturave të saja po bënë përpjekje për të rritur gatishmërinë tek serbët lokal dhe (po bën përpjekje) për tensionim të situatës në Kosovë”.
Një rrezik, më saktë një ndërhyrje e Serbisë në sistemin shtetëror të Kosovës është se ajo ka angazhuar ekipe të specializuara për të ‘monitoruar aktivitetet e strukturave të sigurisë në Kosovë’.
Ky hap, është një nga premisat kryesore, së bashku me hapin tjetër, alarmimin apo ‘rritjen e gatishmërisë’ së strukturave paralele dhe radikale, për të kaluar në njërin nga hapat final tensionimin e situatës me premisën tjetër, arritjen e qëllimit kryesor, ndërhyrjen ushtarake apo konfliktin e armatosur, ku shteti nuk hyn me mekanizmat e tij, por u jep armë, ekspertizë dhe të gjithë mbështetjen e nevojshme, ‘seperatistëve’ për t’u ballafaquar me forcat e sigurisë së Kosovës, të cilat është e paqartë se kush do të ishin
Ndërkohë, që kreu i mundshëm, për një lëvizje ‘separatiste’ është paraqitur dhe ai është Millan Radojçiqi, dora e djathtë e Vuçiqit, për në Kosovë, edhe pse i targetuar nga amerikanët, si pjesëtar të Listës së zezë, në një grup kriminal ndërkombëtar serb, me bazë në veri të vendit tonë.
Mbrëmë në një video të paraqitur nga ai vetë, nga njëra prej pikave më të larta, ka dhënë disa porosi, duke i mbindërtuar në narracionin e rrejshëm, programatik të Serbisë, se atje kjo pakicë është duke u terrorizuar, madje sipas tij, tash do të fillojë, pra bëhet si paralajmërim.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, ka thënë Radojçiq diku nga malet e Leposaviqit.
1. Ai paraqitet si një lider-hero i serbëve –
2. Nuk ka kthim mbrapa – pra i gatshëm për beteja.
Pra, ai po e promovon vetën si lider-hero të ngjarjeve që do të ndodhin. Përballë e ka vendosur ‘terrorin’ ndaj serbëve, që i nënkuptuar sipas tij, vjen nga institucionet e sigurisë së Kosovës.
Këtë plan të institucioneve të sigurisë askush se ka përmendur në Kosovë. I vetmi plan nëse mund të themi deri tash, që është aplikuar është arrestimi i kriminelëve, pa dallime etnike dhe racore.
Kur, krimineli i shumëfishtë Radojçiq, thotë se nuk ‘ka kthim mbrapa’, është e qartë, se ai po kërkon kriminalitet, konflikt të armatosur, dhe se po tregon, jo gatishmërinë e tij vetjake, por të bandave të tij, për t’u përgjakur me forcat e rendit.