Për dallim nga bashkëpartiakët e tij, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, sot nuk e ka votuar Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Byroja për Konfisikim e Pasurisë nuk është miratuar për shkak të kuorumit.
Dilemat e Konjufcës për votimin e këtij projektligji janë shfaqur pas vërejtjeve serioze nga Komisioni i Venecias, ndërkohë që shoqëria civile ka kërkuar që ky ligj të kthehet në pikën zero.
Askush nuk do ta mendonte refuzimin e Konjufcës për ta votuar Projektligjin në dhjetor të vitit 2021, kur shprehej se e mirëpret votimin nga Qeveria e Kosovës të këtij projektligji.
“E mirëpres votimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës të projektligjit për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Si kryetar i Kuvendit do të kujdesem që, për shkak rëndësisë së këtij ligji, ai të trajtohet me prioritet. Pasuria e pajustifikueshme duhet të konfiskohet dhe t’u kthehet qytetarëve”, shkruante Konjufca më 29 dhjetor 2021.
Sot, projektligji nuk kaloi për shkak të mungesës së kuorumit. Në kuvend ishin 61 deputetë, ndërsa pro projektligjit votuan vetëm 45 deputetë, teksa opozita qe ajo që kërkonte tërheqjen e këtij projektligji. /GazetaExpress