Emmerson kërkon nga Supremja lirimin e përkohshëm të Veselit, praktikat e Speciales janë alarmante

Avokati britanik Ben Emmerson nuk po i ndal përpjekjet e tij për lirimin e përkohshëm të ish Kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili po vazhdon të mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë, ndërkohë që ka kaluar një vit e gjysmë që nga arrestimi i krerëve të UÇK-së dhe gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Mbrojtja e Veselit ka kërkuar nga Gjykata Supreme – e cila funksionin brenda Gjykatës Speciale në Hagë – që ta urdhërojë lirimin e përkohshëm të tij, ndërsa ka vlerësuar se praktikat e deritashme lidhur me këtë çështje të treguara nga Dhomat e Specializuara janë alarmante.

Kështu, Emmerson ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të mos lejuar lirimin e përkohshëm të Veselit, dhe të njëjtën gjë ia ka kërkuar edhe Gjykatës Supreme, pasi që, sipas tij, paraburgimi i Veselit tani është bërë i paarsyeshëm dhe se në çdo rast gjykatat më të ulëta kanë bërë shkelje dhe gabime në vendimet e tyre.

Në shkresën e tij, e cila është publikuar në faqen e Gjykatës Speciale, Emmerson ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara kanë ndaluar 100 % të të gjithë të akuzuarve të saj në paraburgim, ndërsa ka shtuar se për një institucion që supozohet t’u përmbahet standardeve më të larta të të drejtave të njeriut, kjo praktikë nuk është veç e mjerueshme, por edhe alarmante.

“Paraburgimi duhet të jetë përjashtim, jo rregull. Megjithatë, praktika e Dhomave të Specializuara tregon krejt të kundërtën”, thotë Emmerson.

Ai pohon se, nëse vendimi i Gjykatës së Apelit për ta mbajtur në paraburgim Veselin lihet në fuqi, një praktikë e tillë do të arrijë një hap më tej, me paraburgimin që bëhet rregull absolut, pa përjashtim.

“Një pjesë e konsiderueshme e kësaj çështjeje gjyqësore ka të bëjë me kuptimin e gabuar, nga gjykatat më të ulëta, të rolit të Policisë së Kosovës në procesin e përcaktimit nëse duhet të jepet lirimi i përkohshëm. Ndryshe nga gjykatat dhe tribunalet ndërkombëtare, KSC është një gjykatë vendase. Policia e Kosovës nuk është organ i një shteti të tretë dhe konceptet si ‘ndërmarrje’ ose ‘garanci’ nuk janë të zbatueshme për të. Në përputhje me Ligjin për KSK-në dhe legjislacionin tjetër të Kosovës, Policia thjesht është e ‘obliguar’ të zbatojë urdhrat gjyqësorë. Nuk ka gjë të tillë si garanci paraprake ose ndërmarrje për të zbatuar një urdhër”, thuhet në shkresën e mbrojtjes së Veselit.

Emmerson ka ftuar Kolegjin e Gjykatës Supreme të deklarojë se paraburgimi i Veselit tani është bërë i paarsyeshëm dhe se në çdo rast gjykatat më të ulëta kanë gabuar duke konsideruar se asnjë masë tjetër alternative, përfshirë mundësinë e arrestit shtëpiak në kushte ekstreme, nuk është e mjaftueshme për të zbutur rrezikun e pengimit.

Në këtë sfond, mbrojtja e Veselit ka paraqitur arsyet e veta, duke thënë se Gjykata e Apelit u vonua në dhënien e vendimit në kundërshtim të hapur me praktikat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, se ajo ka shkelur të drejtën për vendim në kontrakdiktoritetin e palëve, ka vepruar në kundërshtim me Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut – sipas të cilës, me kalimin e kohës, autoritetet duhet të japin arsye shtesë për rrezikun e ndërhyrjes në procedure, se ka gabuar në definicionin e detyrës së Gjykatës për të kërkuar kryesisht masa të tjera alternative me paraburgimin, dhe ka gabuar duke e cilësuar paraburgimin, edhe pas një viti, si të arsyeshëm.

“Për arsyet e parashtruara më sipër, Mbrojtja kërkon që Kolegji i Gjykatës Supreme të pranojë kërkesën, të rikthejë dhe ndryshojë vendimin e kundërshtuar, si dhe të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Veseli, të shoqëruar me çdo kusht që e gjykon të nevojshme dhe proporcionale; ose në urdhrin alternativ për lirimin e përkohshëm të z. Veseli dhe rikthimin e çështjes vetëm për përcaktimin e çdo kushti që konsiderohet i nevojshëm dhe proporcional”, thuhet në shkresën e avokatit të Kadri Veselit dërguar Gjykatës Supreme.