




Opinionisti Avni Zogiani ka shpjeguar statusin e tij në Facebook lidhur me incidentin ku ishte i përfshirë Nuredin Lushtaku. Zogiani kishte shkruar se “gjenerali më në fund e bëri një betejë”, ndërsa e ka shpjeguar këtë status.
“Është pak si ironike kjo që e kam shkruajtur. Është për të ardhur keq që përsëriten incidente të tilla nga ata që është dashur të japin përkrahje për policinë e Kosovës”, tha Zogiani në emisionin Pressing në T7.





Tutje ai tha se mendon që Policia e Kosovës është ndër më të mirat në rajon, por shtoi se ka eprorë të Policisë që merren me fajde.
“Fillimisht dua të jap një mendim për Policinë e Kosovës. Ajo është në nivelet më të larta në rajon. Kjo shihet nga komunikimet e vazhdueshme edhe në teren. Është përshtypja ime edhe me vendet që kam vizituar. Është më e mira në rajon. Por problemet vijnë kur shkon më lart në rang. Ka pasur edhe eprorë të policisë që janë marrë me fajde”, thotë Zogiani.
Tutje ai e ka quajtur person pa integritet Lushtakun.
“Nëse flasim për këtë person, nuk është hera e parë që ka këso probleme. Ka pasur edhe akuzë të ndërlidhur me listat e veteranëve. Është shenjë e mungesës së integritetit”, tha Zogiani. /Gazeta Express/