




Anëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sokol Ahmeti, është shpallur ushtari më i mirë në garën ndërkombëtare e cila është mbajtur në Kroaci.
Ahmeti i cili është pjesë e Regjimentit të Këmbësorisë ka arritur të zë vendin e parë në këtë garë ku pjesëmarrës ishin edhe ushtarët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Franca, Sllovenia, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Britania e Madhe.
Në njoftimin e shoqatës së garës ndërkombëtare shkruhet:





“Me përkushtimin, angazhimin dhe performancën e lartë të treguar gjatë kësaj gare, tetar Sokol Ahmeti nga Regjimenti i Pare i Këmbësorisë i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në mesin e shumë garuesve ka arritur të dalë i pari, duke u shpallur Ushtari më i Mirë Ndërkombëtar për vitin 2021”, thuhet në njoftim.
Pjesëmarrësit kaluan së bashku në disa vështirësi, ku pjesë e saj ishte edhe përshkrimi i rrugës me gjatësi prej 30 kilometra, duke ekzekutuar 12 disiplina Ushtarake.
Pjesëmarrja në gara të tilla konsiderohet si mënyrë për të promovuar vlerat dhe shkëmbimin e përvojave, ndërsa rezultati i arritur atje është parë si dëshmi e profesionalizmit dhe përgatitjes së pjesëtarëve të FSK-së.