Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një bashkëbisedim me qendrën “Balon” në Amsterdam ka folur për ngërçin në BE që i ka zënë rrugën Shqipërisë dhe MV për hapjen e negociatave.
Ai theksoi se BE duhet të ndryshojë qëndrim, mos ua lërë në dorë politikanëve të merren me historinë, siç është rasti i Bullgarisë.
Rama: Ne jemi Ballkani që vjen me disa telashe, ne duam të jemi pjesë e BE-së dhe më pas nëse vende si Bullgari në këtë rast e përdorin veton për të diskutuar historinë në nivele politike kjo është edhe më e ndërlikuar. Përgjithësisht mendoj se sa herë historia merret nga politikanët për tu zgjidhur, rezultati më i mundshëm është që historia të ndërlikohet edhe më shumë. E gjitha kjo është një turp, por një turp që lidhet me frymën e zgjerimit. Bullgaria është shembulli më i jashtëzakonshëm i kësaj fryme të devijuar. BE duhet të ndryshojë, nuk duhet të funksionojë më kështu, që një vend merr peng një vend tjetër. Por nëse hyn në Ballkan është çmenduri, se po të pyesësh shqiptarët ne mendojmë se ishim të parët mbas majmunit. Po të pyesësh grekët ata mendojnë se Holanda është një fshat i vjetër i Greqisë së lashtë, ata mendojnë se janë dhe para majmunëve. Po të pyesësh serbët duhet të lëvizësh sepse edhe mund të vritesh. Po të na pyesësh ne Napoleoni është shqiptar. Pra këto gjëra nuk duhet të merresh në nivel Europian. Gjëja më e pakuptueshme përtej kësaj është se as ne as MV nuk po trokasim në derën e BE për tu bërë anëtarë.