Selakoviq: Nuk do të rrimë duarkryq, vendimi i fundit i Kosovës kërcënim për Serbinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë sot se Serbia nuk është ajo që do të shkaktojë probleme në Kosovë, porse sipas tij “nuk do të rrijë duarkryq derisa siç thotë Selakoviq “dikush e godet me shqelma dhe shuplaka”.
Sipas tij serbët “po kërcënohen me konfiskim të pronës private” pas vendimit të ekzekutivit kosovar që obligon kthimin në RKS të targave të komunave paralele.

“Duke e njohur popullin tonë në Kosovë, ata sigurisht nuk do të pranojnë që t’u merret diçka, as me qejf e as me dhunë”, paralajmëroi Selakoviq në një intervistë për Politika.

Ai poashtu shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se vendimet e fundit të Kosovës janë kërcënim serioz për sigurinë

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka miratuar vendimin, i cili obligon kthimin në RKS të targave të komunave paralele.

Si rezultat atyre iu mundësohet regjistrimi i automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS, transmeton klankosova.tv.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022.

Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022.