




Ende nuk dihet nëse Kosova dhe Serbia do të mund të arrijnë një marrëveshje e cila do të shtynte përpara procesin për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kanë gatishmëri për një marrëveshje të tillë por ka theksuar se kjo nuk varet vetëm nga Qeveria e Kosovës, ndërsa nga Brukseli u kanë bërë thirrje palëve që t’u japin shtysë të re politike përpjekjeve për zgjidhjen e rasteve të mbetura të personave të zhdukur.





Tash e 23 vjet nuk dihet asgjë për fatin e Bashkim Ramabajës, i zhdukur si 27 vjeçar në vitin 1999.
Babai i tij, Shaip Ramabaja e kujton 18 prillin e atij viti si ditën e fundit kur e ka parë të birin.
Në periudhën e vitit ‘99, për shkak të dhunës nga forcat serbe, familja Ramabaja nga Hajvalia ishte zhvendosur në fshatin Mramor.





Për të njëjtat arsye, në prill të atij viti ata ishin detyruar të ktheheshin prapa në Hajvali të Prishtinës por kësaj radhe jo edhe djali i tyre Bashkimi.
Ai kishte mbetur në mal dhe sipas asaj çka babai i tij di, në 22 prill të vitit 1999, Bashkimi kishte tentuar të shkojë në Kolovicë, një lagje e Prishtinës, por ishte kapur nga forcat serbe.
“Më 18 prill në mbrëmje ne jemi nisur me ardh në shtëpi, e luta djalin tha kurrë nuk vi se e kam marrë atë (armën) dhe me të kam me u mbrojt deri në fund, nuk bi i gjallë në dorë. Më 21 me siguri ka tentuar me hy në Kolovicë, i ka dajtë aty, me siguri aty është zënë në Kolovicë, e kanë zënë parazitarët dhe e kanë marrë e kanë dërguar në burg në Lipjan ashtu siç kam të dhëna unë, e kanë maltretuar e rrahur çdo ditë ‘trego me kënd ke qenë ushtarë, ai nuk ka treguar. Më 12 qershor kur ka hy NATO i ka përzënë kriminelët, ai ka mbetur i fundit në atë dhomë në Lipjan, çka kanë bërë me të prej aty nuk kam asnjë të dhënë. Më ka humb djali”, thotë Ramabaja, derisa rrëfen ngjarjen për zhdukjen e djalit të tij 23 vjet më parë.