Teksa më herët qeveria njoftoi se prej shtatorit qytetarët që konsumonin më shumë se 700 kilovat do të paguan energjinë elektrike me një çmim më të lartë, duket se kjo fashë tashmë ka ndryshuar.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka njoftuar se fasha do të jetë 800 kilovat/orë, për shkak se 700 kilovat është vlera normale që konsumojnë familjet në vend.
“Në një analizë që kemi bërë, nuk është vendosur nëse do jetë 700 apo 800 kilovat/orë, pasi nga analiza ka dalë që deri në 700 kilovat/orë është konsumi normal i familjeve normale në varësi dhe të numrit të personave, familjarëve që ka. Por nga ana tjetër, 800 kilovat/orëshi fillon dhe quhet një konsum mbi normalen.
Kështu që besoj kjo do jetë fasha, është diçka që e kemi menduar që duhet të bëhet shpejt.
Nëse jo brenda Verës, do të bëhet në fillim të Shtatorit, por padyshim ka ardhur koha që patjetër qeveria duhet të sigurojë energjinë, është shumë e rëndësishme që ne mos të rrisim çmimin për abonentin por nga ana tjetër duhet që të ketë një sensitivitet nga ana e çdo përdoruesi të energjisë elektrike, e çdo abonenti për të qenë të kujdesshëm dhe për të ruajtur sa më shumë energjinë jo vetëm për shkak të çmimeve por edhe për shkak të mungesës që ka në treg”, tha ministrja Balluku. /korrieri