Vetura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “DJA” do të mund të shihen nëpër rrugët e Kosovës vetëm deri më 30 shtator.
Pas kësaj date shtetasit e Kosovës të nacionalitet serb, do të duhet të regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS.
Gjithë kjo pas një vendimi që të mërkurën e mori ekzekutivi, që u jep mundësinë këtyre të fundit që të kenë 2 muaj në dispozicion për të ndryshuar targat e tyre.
Këtë vendim nuk e kanë kundërshtuar qytetarë serbë që jetojnë në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut.
“Nuk më prek ky vendim dhe nuk e dua as politikën. Kam 4 fëmijë dhe të gjithë jetojnë në Beograd, unë jam pensionist”, ka thënë një qytetar serb.
“Po më duhet ta respektoj, sigurisht që do ta respektoj, këtu po jetoj dhe e kam patjetër ta marrë parasysh”, ka thënë qytetari tjetër.
“Nuk është vendim final. Ata do te bisedojnë dhe do te merren vesh. E ato vendimet do të duhet të zbatohen. Deri në momentin që nuk jepet vendimi, nuk kanë nevojë të respektohen”, ka thënë një qytetar tjetër.
“Unë jam pro asaj KS që ka qenë. Atë e ka dhënë KFOR-i. Unë jam rritë në Kosovë unë jam për Kosovën unë jam serb, por s’jam kundër askujt. Kosovën e du me gjithë zemër”, është shprehur qytetari.
E një vendim i tillë është pritur të ndodhë shumë më herët sipas Orgnen Gogiq nga shoqëria civile në Beograd.
“Çështja është se targat e tilla ka qenë plan të hiqen kohë më parë. Dikur tek marrëveshja e vitit 2011. Bile unë kam menduar se ato do të hiqen vitin e kaluar. Kurti kur vendosi stikersa, në targat e veturave të qyteteve të Serbisë ka thënë se ky është momenti që edhe ato KM, PZ e të tjerat të hiqen fare, por siç duket ka hasur në rezistencë të serbëve. Kështu që ata e pauzuan vendimin e tyre. Por, tash me siguri do të bëhet”, ka thënë Gogiq
Nga ana tjetër Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol thotë se një vendim i tillë mund të ketë luhatje të vogël stabiliteti por sipas tij tregon shtrirje sovraniteti.
Përndryshe, sipas vendimit të djeshëm të qeverisë automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. /Dukagjini/