Krasniqi (PSD): Kërkimfalja e Muratit e pasinqertë, do të kërkojmë me protestë dorëheqjen e tij

Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate e konsideron si të pasinqertë kërkimfaljen e ministrit Hekuran Murati, në lidhje me disa shkrime rreth veteranëve, vite më parë.

Krasniqi, në Info Magazine në Klan Kosova, thotë se kjo është kërkimfalje prej zorit dhe për atë qëndrojnë prapa protestës së organizuar të mërkurën, ku kërkojnë dorëheqjen e Muratit.

“Qëndrimet e mëhershme tregojnë se çfarë realisht mendon, por pasi të bëhesh ministër normalisht që reagon ashtu siç e sheh që të konvenon, herë kërkon falje – herë ndërron pozicion, posaçërisht nëse je ministër i Vetëvendosjes. Unë mendoj që në një shtet demokratik sinqeritetin e kërkimfaljes e tregon duke dhënë dorëheqje – ky është akti që një ministër kërkon falje”.

“Pse duhet të presë dy-tre ditë presion publik që të bëjë kërkimfaljen – kjo është kërkimfalje prej zorit dhe e pasinqertë. Prandaj, ne mbesim në thirrjen tonë për protestë, të mërkurën në ora 19:00, dhe i ftojmë në mënyrë masive qytetarët e Kosovës të marrin pjesë”.

Mes tjerash, Krasniqi thotë se rreth 90 për qind e njerëzve përreth kryeministrit, Albin Kurti, janë anti-UÇK, njofton Klankosova.tv.