Gërvalla i përgjigjet von Cramon’it: Shqetësimet e saj s’do të thotë se janë të drejta

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla i është përgjigjur deklaratave të raportueses për Kosovën në Parlamentin e Evropës, Viola von Cramon, e cila kishte thënë se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë dëgjuar këshillat e miqve për ta dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në një moment më të përshtatshëm.

“Ndonëse shumë njerëz mbështesin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, të gjithë ata këshilluan Qeverinë që të pres për ta dorëzuar aplikacionin për t’u siguruar se ekziston shumica (e votave) në Këshill përpara aplikimit. Pak-a-shumë këtë thanë të gjithë partnerët ndërkombëtarë”, kishte deklaruar shkruar ajo.

Gërvalla nuk i ka dhënë të drejtë von Cramonit, duke thënë se ka pasur më shumë miq, si nga fuqia ashtu edhe nga numri, që kanë mbështetur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

“Ka pasur dukshëm më shumë miq, që na kanë thënë të aplikojmë, si nga fuqia, ashtu dhe nga numri”, ka thënë ajo në emisionin “dPt te Fidani”.

Gërvalla ka thënë se nuk ka biseduar asnjëherë me von Cramon’in për këtë gjë dhe ka deklaruar se shqetësimi i saj mund të mos jetë i drejtë.

“Zonja von Cramon mund të jetë e painformuar, unë për vete nuk kam biseduar me të për këtë gjë. Po të kishte biseduar me mua zonja von Cramon, ndoshta do t’kisha mundur që t’i tregoja se ku ndodhemi, por është e drejtë e zonjës von Cramon, si një mike e këtij vendi, të shpreh shqetësimin e saj ashtu si ajo e ndjen. Kjo nuk do të thotë se shqetësimi i saj, është i drejtë. Kemi pasur ankesa si ndoshta nuk do të ishte mirë që të aplikojmë përpara zgjedhjeve në Serbi. 3 prilli kishte kaluar gjatë, përpara aplikimit tonë në KiE”, ka thënë kryediplomatja në T7.

Gërvalla ka deklaruar se Kosova ka aplikuar në Këshillin e Evropës sepse i takon të jetë në KiE.

“Asnjë prej atyre, madje dhe prej atyre që janë treguar skeptikë, nuk thotë që Kosovës nuk i takon të jetë anëtare e KiE. Ata që janë më të kujdesshëm thonë se duhet qenë më të kujdesshëm, pas përjashtimit të Rusisë nga KiE”, ka theksuar ajo.