




Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq as që provon ta fsheh nervozizmin kur del para mediave. Shkak i kësaj është vendimi i djeshëm i qeverisë së Kosovës, për të zbatuar reciprocitetin karshi Serbisë në letërnjoftime dhe targa.
Vendimi i ekzekutivit thotë se çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim, që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.
Mirëpo, një gjë e tillë është implementuar nga Serbia tash 11 vjet. Secilit kosovar që ka hyrë në Serbi i është dhënë një dokument i tillë i cili, sipas Beogradit, nuk prejudikon statusin.





Kjo procedurë parashihej në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të nënshkruar ndërmjet Kosovës e Serbisë më 2 korrik të vitit 2011, veçse Kosova asnjëherë s’e zbatoi.
Përveç për letërnjoftime, Qeveria e Kosovës iu dha afatin e fundit pronarëve të automjeteve me targa të Serbisë, që t’i regjistrojnë ato me tabla RKS deri më 30 shtator.
Pos Vuçiqit, ky vendim nuk i pëlqeu as emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se qeveria e Kosovës ia ndryshoi të gjitha planet që ky i kishte./Express