Panelistët Shkëlzen Gashi dhe Bekim Çollaku janë përplasur në emisionin Pressing në T7.
Shkëlzen Gashi tha se qeverisjet e 20 viteve të kaluara kanë qenë fajtore dhe kjo e bën qeverinë tanishme që të duket më e mirë. Përkundër kësaj, Gashi tha se është i shqetësuar edhe me qeverinë e tanishëm dhe pati kritika edhe për ta.
“Kur e shoh këtë qeveri kështu, frikësohem shumë”, tha ai.
“Kjo qeveri nuk e bën punën e saj si duhet dhe jam i zhgënjyer. Por kur shoh të kaluarit cfare kanë bërë, këta po më duken engjëj. Nuk është programi që ka fituar zgjedhjet. Shumica e qytetarëve as nuk e kanë parë kur kanë votuar. Por janë qeverisjet e kaluara”, shtoi ai.
Çollaku i reagoi Gashit.
“Kur e dëgjova duke folur thashë me vete ky është opozitari ‘perfekt”, tha ai.
“Mirëpo duhet të tregohemi real. Nuk është e vërtetë narativa që asgjë nuk është bërë këto vite. Kemi krijuar institucione nga asgjë. Kemi krijuar shtet. Tash është e vërtetë se shumë gjëra nuk janë sic duhet. Por edhe këtu duhet të jemi real se sa kemi pasur mundësi të punojmë. Akademia e Shkencave nuk është ajo që kemi dëshiruar. As Universiteti publik. Por mos të mbjellim vnerë e të themi se vetëm duhet të largohemi nga këtu. Edhe ashtu mjaft po ikin. Të mundohemi të i mbajmë këtu”, shtoi ai.
Ai në fillim të emisionit pati edhe kritika për qeverinë.
“Sfidat janë të shumta. Një pjesë nuk janë që janë shkaktuar nga kjo qeveri, por janë globale. Mirëpo kjo qeveri po tregon paaftësi në menaxhimin e krizave. Kosova është një shtet me buxhet të kufizuar e të varfër, edhe pse ai rritet cdo vit, mirëpo nuk i plotëson nevojat e qytetarëve. Kjo paaftësi po dërgon drejt një krize më të thellë”, tha Çollaku.