Pothuajse të gjithë lojtarët e Kombëtares janë me pushime pas një sezoni të gjatë dhe ky muaj është një kohë relaksi për ta, por edhe për të qëndruar sa më shumë me familjen.
Shumë pak futbollistë kanë preferuar që të kalojnë pushimet në Shqipëri, disa të tjerë kanë zgjedhur të ikin larg, Afrikë, Karaibe apo Spanjë. Ndërsa ajo që bie në sy dhe është kthyer në një trend për lojtarët e Kombëtares është ishulli Mikonos në Greqi.
Ishulli i famshëm grek i cili vizitohet çdo vit nga shumë lojtarë të njohur të futbollit botëror, këtë herë është preferuar nga kuqezinjtë, ku dominojnë ata të repartit të mbrojtjes. Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Bekim Balaj kanë pozuar nga ishulli, teksa nuk mungojnë edhe ngacmimet në komente nga Odise Roshi.
“Ma shtyp pak atë Bekim Balaj se ka ikur pa leje”, shkruan fieraku në postimin e Gjimshitit që është duke shëtitur me makinën e tij në Mikonos. Komentit të Roshit i është përgjigjur Balaj i cili shkruan: “Se Odise Roshi nuk mori dot leje që të vinte”, thotë shkodrani.
Ardian Ismajli i cili luan tek Empoli ka preferuar që të pushojë në një ishull tjetër grek, Santorini, me partneren e tij kroate Matea Besliç. Në një foto të postuar në “Instagram”, mbrojtësi është thumbuar nga Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani, të tre pjesë e Empolit në këtë sezon.
“Shumë shtrenjtë aty”, komenton Bajrami i cili mbështetet në koment nga i riu Kristjan Asllani që shkruan: “Është Greqia, shumë, shumë lekë”, thotë lojtari që u transferua tek Interi. Ndërkohë që ka edhe një reagim nga Ismajli i cili u përgjigjet: “Hahah, jo, jo krejt normal, jo shumë para”, shkruan mbrojtësi.