




Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Presidentja Osmani bën Lajçakun të ‘flasë me veten’, u bisedua për dialogun, Vjosa kërkon njohje reciproke
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në Bruksel, perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja foli për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke përçuar synimin e qartë të institucioneve tona që procesi të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë.





Presidentja Osmani theksoi se marrëveshja mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë është hap pozitiv në këtë aspekt, duke përmendur se zbatimi është shumë i rëndësishëm.
Sipas komunikatës për media të lëshuar nga Presidenca, Osmani ritheksoi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë. Tutje, Presidentja Osmani thuhet se ka folur mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.





Presidentja Osmani dhe përfaqësuesi special i BE-së, Lajçák folën edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë.