Qeveria e Kosovës ka vendosur sot masën e reciprocitetit ndaj Serbisë për punën e dokumenteve të identifikimit dhe e ka vazhduar atë për targat.
Por, cilat janë masat e tjera të reciprocitetit që janë vendosur në të kaluarën ndaj këtij shteti?
Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur sot ministrat e tij. Në këtë mbledhje të Qeverisë, është vendosur masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për dokumentetet e identifikimit dhe targave të automjeteve.
Sipas këtij vendimi, qytetarëve serb, të pajisur me dokumente identifikimi nga autoritetet e Serbisë, gjatë hyrjes në Kosovë do t’u lëshohet në kufi një flet-deklarim i përkohshëm që zëvendëson përdorimin e dokumente të Beogradit.
“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.
Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Me këtë vendim, është vazhduar edhe reciprociteti për punën e targave.
Me këtë vendim, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga 1 korriku.
“Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022. Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.
Masa e reciprocitetit për targat kishte filluar të aplikohej fillimisht nga 20 shtatori i vitit 2021.
Sipas vendimit të atëhershëm, veturat që hynin nga Serbia, duhet të pajisjeshin me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.
Kjo masë kishte nxitur protesta në veri. Për gati dy javë, serbët lokalë kishin bllokuar rrugët që çonin në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Cilat janë masat e tjera të reciprocitetit që janë vendosur ndër vite ndaj Serbisë?
Masën e parë të reciprocitetit ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar në korrik të vitit 2011.
Vendimi ishte marrë nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, pasi Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova. Shkak ishte ndërrimi i vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.
Produktet më këtë vulë, nuk ishin lejuar që të kalojnë nëpër shtetin e Serbisë as transit.
Ky vendim kishte filluar të zbatohej në të gjitha pikat kufitare, por në veri situata ishte tensionuar më shumë, saktësisht në pikat në Jarinjë dhe Bërnjak, pika këto të cilat ishin djegur në vitin 2008 nga serbët lokalë, si shenjë hakmarrje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kjo masë kishte zgjatur rreth 40 ditë. Pas bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, ishte arritur marrëveshje për njohje reciproke të vulave ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.
Pesë vite më vonë, Kosova kishte vendosur sërish masë reciprociteti. Këtë herë në lidhje me tekstet shkollore në gjuhën serbe.
Vendimi ishte marrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që atëherë udhëhiqej nga Arsim Bajrami.
Autoritetet serbe në atë kohë kishin kthyer mbrapsht tekstet shkollore të Kosovës, duke mos lejuar të dërgohen në komunat e banuara me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës.
Të njëjtin vit, ishte vendosur reciprocitet ehde në transportin e naftës dhe gazit. Kjo pasi autoritetet nuk kishin pranuar certifikatat (të njohura si ADR) që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, për shoferët dhe automjetet që bartin materie të rrezikshme.
Dy vite më pas, Qeveria e Kosovës që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, pati vendosur taksë doganore ndaj mallrave që importoheshin nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Fillimisht taksa ishte 10 përqind, por më pas u bë 100 përqind.
Shkaku i kësaj takse, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë. Kundër kësaj takse ishin deklaruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Pas dy vjetësh, në krye të Qeverisë së Kosovës erdhi Albin Kurti. Me ardhjen e tij në pushtet, taksa u shndërrua në reciprocitet me Serbinë.
Me 31 mars të vitit 2020, Kurti, vendosi që emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe veterinare si dhe dokumente të tjera përcjellëse, të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.
Vendimi i Kurtit u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Qeveria Kurti 1 ra pas 51 ditësh në pushtet, kur Lidhja Demokratike e Kosovës me mocion të mosbesimit, rrëzoi qeverinë.
Në krye të Qeverisë më pas erdhi Avdullah Hoti, i cili shfuqizoi vendimin për reciprocitetin.
Pas zgjedhjeve që u mbajtën më 14 shkurt 2021, në krye të Qeverisë së Kosovës ka ardhur sërish Kurti. Ai pati paralajmëruar se vendosja e reciprocitetit me Serbinë për mallrat do të jetë ndër gjërat e para që do të bëjë Qeveria e tij.
Një vendim të tillë ende se ka marrë, ani pse janë bërë mbi një 1 vit.