




Komuna paralele në veri të Mitrovicës ka ndarë 10 banesa të ndërtuara nga Qeveria e Serbisë, për pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët shërbejnë në atë pjesë të vendit.
Burime të KosovaPress-it kanë bërë të ditur se disa prej policëve dhe eprorëve që përfituan dhe u vendosën në këto banesa para pak ditësh janë togeri V. Mirkoviq, pastaj J. Nikolliq, S. Jovanoviq, D. Zhiviq, M. Steviq, etj.





Sipas këtyre burimeve, banesat ndodhen në lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës, përkatësisht në rrugën ‘Vojvoda Putnik’, ‘Kollashinska’ dhe ‘Nemanjina’, ndërsa punimet në ndërtimin e tyre janë realizuar nga kompania ‘Rad 028’ nga Zveçani, pronar i së cilës është Radulle Steviq, e që është në listën e sanksioneve të Departamentit të shtetit amerikan.





KP skruan se ka provuar të marrë ndonjë deklaratë rreth kësaj çështjeje nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Vlen të theksohet se Serbia nga buxheti i saj për vitin 2022 ka ndarë më shumë se 100 milionë euro për financimin e institucioneve paralele në Kosovë, si në fushën e politikës, sigurisë, mirëqenies sociale, arsimit, shëndetësisë dhe fushave tjera.
Ndryshe, këto struktura paralele në Kosovë me theks të veçantë në veri, Serbia nuk është duke i ngritur dhe financuar pa ndonjë arsye, ngase synim kryesor i Beogradit zyrtar është që këto struktura t’i legalizojë në të ardhmen përmes krijimit të Asociacionit të Komunave.