“Adem Jashari propozoi emrin Ushtria e Kosovës, pastaj Xhavit Haliti Ushtria Çlirimtare e Kosovës”

Rreth vendosjes së emrit të UÇK-së është folur, diskutuar e debatuar shumë. Fillimisht kishte ide të ndryshme për vendosjen e emrit. Njëri nga themeluesit e UÇK-së z. Hashim Thaçi kishte treguar ekskluzivisht në emisionin Opinion të Blendi Fevziut se cilat ishin propozimet e para pas fillimit të aksioneve guerile.

“Për themelimin e UÇK-së është diskutuar shumë edhe në Prishtinë, por kulmi apo koha dhe data e fillimit dhe organizimit të saj është në Prekaz në vitin 1992. Sa i përket emrit kishte ide të ndryshme, që të quhej Lëvizja Guerile e Kosovës, pastaj Lëvizja për Çlirimin e Kosovës, pastaj Grupi Gueril Rexhep Mala, pastaj të quheshin grupe guerile të zonave të caktuara ku do të vepronin grupet guerile në emër regjioneve apo emrave të personaliteteve historike të regjioneve të caktuara, pastaj ishte ide origjinale e komandantit legjendar Adem Jashari që të quhej Ushtria e Kosovës, pastaj në diskutime e sipër të disa strukturave të armatosura e të strukturave organizative të LPK-së të sektorit të veçantë është arritur tek formulimi që mendoj që ka qenë më i drejti, më integruesi, më i respektuari që nënkuptonte tërësinë e forcave të armatosura, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Brenda LPK-së ne sektorin e veçantë ishte Xhavit Haliti i cili propozoi pastaj emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai këtë e kishte treguar edhe publikisht.

Xhavit Haliti, një prej themeluesve të UÇK-së dhe anëtar i LPK-së, ka thënë se emrin UÇK e kishte propozuar vet ai te Kryesia e LPK-së dhe ishte miratuar.

Haliti, në një rrëfim për emisionin Pressing, ka thënë se është ai pagëzuesi i ushtrisë së armatosur që u themelua në vitin 1994. “Po, unë jam. Po, po, unë e kam propozu, LPK-ja e ka miratu. Në vitin 1994”, është shprehur Haliti.