




Presidentja Vjosa Osmani është politikanja më e vlerësuar nga qytetarët.
Politikani i dytë më i vlerësuar është kryekuvendari Glauk Konjufca, derisa kryeministri Albin Kurti është i treti.
Kjo radhitje është bërë bazuar në rezultatet e sondazhit të fundit, që është realizuar nga kompania “UBO Consulting”, të cilin e ka siguruar Klan Kosova.





“Duke përdorur shkallën e vlerësimit 1 deri në 5, ku 1 nënkupton “shumë negativ” dhe 5 nënkupton “shumë pozitiv”, si dhe 88 nuk e njoh/pp, ju lutem na tregoni se çfarë mendimi keni për personat e përmendur më poshtë?” ishte pyetja që u është parashtruar respodentëve të këtij sondazhi.
Osmani doli politikanja me notën më të lartë mesatare prej 3,37, derisa Konjufca, që radhitet pas saj, ka notë 3,06. Kurti – që është i treti në këtë vlerësim – ka notën mesatare 2,98 nga 5, sa ishte maksimumi.
Me një notë mesatare vetëm pak më të vogël se Kurti radhitet kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me 2,92.





Lideri tjetër opozitar, Memli Krasniqi i PDK-së, ka marrë notën mesatare 2,60, duke u radhitur kështu i pesti, derisa Ramush Haradinaj i AAK-së ka notë mesatare 2,38, që e rangon një pozitë më poshtë se kryediplomatja Donika Gërvalla, e cila është vlerësuar me notën 2,39 nga të anketuarit e këtij sondazhi.
Por, cili është lideri/ja që është në fund të kësaj liste? Është Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate, që ka notën 2,13, derisa notë më të mirë kanë marrë Behgjet Pacolli i AKR-së (2,33) dhe Mimoza Kusari-Lila (2,31).
Në një anketë tjetër, ku të anketuarit janë pyetur se “Cilat janë çështjet që ju shqetësojnë më së shumti?”, del se rritja e çmimeve të produkteve është shqetësimi kryesor i kosovarëve (15,2 %).
Papunësia, rritja e çmimit të energjisë dhe arsimi janë shqetësimet e tjera madhore për qytetarët, derisa dialogu dhe menaxhimi i pandemisë janë temat që më së paku i preokupojnë ata (sipas këtij sondazhi).