




Opinionisti dhe ish-gazetari i Washington Post, Jason Rezaian ka publikuar një opinion që lidhet me Kosovën dhe rolin e saj në konfliktin e ideve mes SHBA-së dhe Rusisë, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Autori ka bazuar shkrimin e tij edhe në bisedat që i ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe e ka cituar disa herë gjatë opinionit që e ka publikuar në The Washington Post.
Ai thotë se rreziku për Kosovën me 2 milionë banorë e me 48 baza ushtarake serbe përreth, është shumë i lartë. Ai citon Kurtin, i cili thotë se Kosova është front ku definohet konfrontimi ideologjik mes SHBA-së dhe Rusisë.





“Për një vend me më pak se 2 milionë banorë, që e ka deklaruar pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, rreziku është shumë i lartë. Me 48 baza ushtarake të Serbisë përreth kufirit të Kosovës sipas Kurtit, nuk është çudi e madhe që ai sheh fatin e vendit të tij si një front ku definohet konfrontimi ideologjik i kohës sonë. Ai e konsideron rajonin e tij si një fushëbetejë aktive, por nganjëherë të anashkaluar, në mesin e tensioneve që po rriten ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, shkruan ai.