Gazeta “Domani” ka zbardhur një raport nga zyra e Bankës së Italisë kundër pastrimit të parave. Media shkruan se një grua shqiptare ka marrë para nga kreu i Forza Italia.
Mësohet se Silvio Berlusconi i ka kaluar para Julinda Llupos. Llupo është datëlindja 1987, e lindur në Tiranë dhe banuese në Itali.
Historia zbardhet pas një raporti nga UIF, zyra kundër pastrimit të parave të Bankës së Italisë, e cila është fokusuar në një operacion prej gati 70 mijë eurosh të kaluara nga llogaritë e Berlusconit tek ajo e të resë shqiptare.
Një dhuratë kjo e mbërritur në nëntë këste, në periudhën kohore, shkurt 2020-tetor 2020, ku ka marrë 70 mijë euro nga ish-Kryeministri italian Silvio Berlusconi.
Ky transaksion është kryer përmes etiketimit “dhuratë ose hua” nga llogaria personale bankare e ish kryeministrit italian në atë të gruas shqiptare.
Gazeta shkruan se Llupo, e cila ka disa aktivitete në Itali, i ka përdorur paratë edhe për të paguar qiranë e një apartamenti në pronësi të Cosimo D’Arrigo, një gjyqtar të Gjykatës së Lartë, i cili në vitin 2012 bëri pjesë në bordin që liroi Berlusconin në gjyqin Mediatrade, në lidhje me fondet e zeza të pretenduara të Mediaset.
Nga hetimi i gazetës raportohen edhe reagimet e të interesuarve dhe avokatëve të Berlusconit. Vajza dhe bashkëshorti i saj nuk kanë dashur të shpjegojnë ngjarjen, ndërsa avokatët e Berlusconit sqarojnë se Llupo nuk është e përfshirë në gjyqin “olgettine”.
Nga ana tjetër, magjistrati pretendon se nuk di asgjë për marrëdhëniet mes Llupos dhe Berlusconit dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.