Në deklaratën qeveritare në prag të samitit të BE-së, Olaf Scholz, u pozicionua qartë në anën e gjashtë vendeve të rajonit dhe i bëri thirrje Bullgarisë të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, u shpreh në Bundestag, mirëkuptues ndaj pakënaqësisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai tha të mërkurën pasdite se nuk është i sigurt nëse do të zhvillohet samiti i Ballkanit Perëndimor me BE, i paraparë për të enjten paradite, 23 mars, në Bruksel.
“Unë po e them shumë qartë: Shpresoj që samiti të mbahet. Sipas informatave tona, nuk është e sigurt që do të mbahet. Dhe që të jem i sinqertë, kjo nuk më çudit. Sepse kur ngjall shpresa, kur i ke futur këto vende në një rrugë dhe kur i bind se ia vlen që të ecin në rrugën drejt BE-së, dhe ata i bëjnë të gjitha përpjekjet, rrezikojnë konflikte politike brenda vendit, madje, një vend, Maqedonia e Veriut, ndryshon edhe emrin që të mos jetë në grindje me Greqinë, atëherë është konsekuente që vendimmarrësit dhe qytetaret dhe qytetarët e tyre ta shprehin pakënaqësinë që kanë”.
Scholz megjithatë nënvizoi se nëse samiti do të mbahet, ai nuk do të jetë i lehtë. Por për Gjermaninë është e rëndësishme që të pozicionohet. Gjermania është në anën e tyre.
Heqja e parimit të unanimitetit
Më parë kancelari socialdemokrat ishte shprehur për heqjen e parimit të unanimitetit në politikën e jashtme dhe kishte thënë se, sikurse Ukraina dhe Moldavia, që do të marrin një përgjigje të fortë ndaj kërkesës së tyre për status kandidati, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, meritojnë një përgjigje të qartë. “Kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme për mua të vizitoja rajonin përpara udhëtimit tim në Ukrainë”, theksoi kancelari.
Politikani socialdemokrat përshkroi me ton dhe fjalë emocionale, të pazakonta për të, gjendjen në të cilën ndodhet Ballkani Perëndimor sot, duke sjellë para deputetëve një mbresë që kishte marrë nga takimi i tij i fundit me liderët e Ballkanit në Selanik.
“Kanë kaluar gati 20 vjet që kur në Selanik BE-ja u ofroi këtyre vendeve perspektivën e anëtarësimit. Unë isha atje para disa ditësh. Dhe të gjithë ma kujtuan këtë, se si u vendos. Atëherë në Selanik të gjithë mendonin se do të ishin anëtarë të BE-së pas pesë ose tetë vjetësh. Dhe kjo nuk është realizuar deri më sot”, tha kancelari.
Më tej ai tha se ka ardhur koha që ne e duam dhe na duhet Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ky ishte mesazhi im në udhëtimin tim në rajon. Dhe ky do të jetë gjithashtu mesazhi që duhet të vijë nga takimi i nesërm i BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kritikë ndaj Bullgarisë
Scholz lavdëroi kryeministrin bullgar, Kirill Petkov, dhe tha se ai luan një rol tejet konstruktiv në bisedat me Shkupin. Ne e dimë se edhe sot ka debate në vend. “Sepse kjo është ajo që shumë shpesh e bën kaq të vështirë bashkëpunimin në Evropë, që çështje që e kanë bazën në ngjarje të ndodhura shumë kohë më parë, përdoren papritur për të ngatërruar gjithçka që sjell një të ardhme paqësore.”