Kryenegociatori serb Petar Petkoviq, thotë se homologu i tij kosovar Besnik Bislimi është pajtuar që të fillojnë diskutimet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe pasi të arrihet marrëveshja për energjinë.
“U dakorduam për Udhërrëfyesin për energjinë dhe tani rruga është e hapur për bisedime për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kemi pritur 10 vjet për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, kemi pritur 10 vjet për marrëveshjen e Brukselit dhe gjashtë pikat e para Asociacionin e komunave serbe”, ka thënë Petkoviq.
Ai thotë se Kosova s’i faturon serbët në veri dhe se udhërrëfyesi i përcakton hapat.
“Afatet nisin kur Prishtina të lëshojë licencë për Elektrosever. Kjo është çka kemi pritur për vite dhe çka Prishtina ka refuzuar, për këtë Prishtina as nuk ka dashur të bisedojë”, ka thënë ai.
Dje Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të zbatojnë udhërrëfyesin për marrëveshjen për energjinë.