Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar mos liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian (BE) dhe deklaratat e presidentes Vjosa Osmani që i ka bërë sot në lidhje me vizën e saj në Bruksel. Ai ka thënë se si shkak i Vjosa Osmanit, Albin Kurti dhe Shpëtim Bulliqit, Kosova ka mbetur pa liberalizim të vizave, shkruan Gazeta Metro.
Në një shkrim në Facebook, Isa Mustafa ka thënë se me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin.
“Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Brukse. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut!”, ka shkruar Mustafa.
Tutje ai ka thënë se është Osmani, Kurti, Bulliqi e piromanet e tyre që e lanë pa viza Kosovën.
“Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit. Sa njeriut të sëmurë, të papunë e nevojtar për të shkuar në perëndim i është refuzuar viza, e kjo i ka brengosë këta që sot janë në pushtet. Edhe disa në opozitë! Por, këtyre në vend të liberalizimit duhet tu epen medalje për mashtrim të popullit. E lanë pa viza, e ua morën mbi 5o përqind të votave. Aferim!”, ka shkruar në fund Mustafa.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se në samitin e Bashkimit Evropian ka dëgjuar shumë deklarata mbështesë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por tani, Osmani ka thënë se duhen hapa konkretë duke theksuar se Kosova përveç deklaratave mbështesë ka nevojë për një vendim për lëvizjen e lirë./gazetametro.net