Nuk Ka Rrugedalje Per Vuciqin Tani, Edhe Sulltani Erdogan Ia Mbyll Deren Serbise

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s (Turqisë), Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se ata kanë vërejtur tensionin në rajon të rritet dhe tha se “Si Türkiye, ne kemi thënë shumë herë se nuk do të lejojmë që ky rajon të kthehet në ditët e errëta të viteve ’90. Ne jemi duke bërë të gjitha llojet e punës për këtë. Ne do të vazhdojmë përpjekjet në këtë drejtim si një vend që mund të bisedojë me të gjithë dhe që ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet në rajon”, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu në konferencën e përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, mbajti një fjalim pas bisedimeve dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve.

Duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në Kosovë, ministri Çavuşoğlu rikujtoi se janë në pikën e fundit të turneut ballkanik që përfshin pesë vende, se është jashtëzakonisht i kënaqur me takimet që ka zhvilluar dhe se mbrëmë u mblodhën bashkë në një darkë pune.

“Dëshirojmë t’i zhvillojmë marrëdhëniet dypalëshe në çdo fushë”, tha Çavuşoğlu duke shtuar se do të zhvillojnë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar se si mund t’i zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe se si do të punojnë së bashku për t’i zhvilluar ato.

Çavuşoğlu bëri të ditur se do të vizitojë edhe qytetin e Prizrenit dhe Mamushën dhe tha se “Komunitetin turk në Kosovë dhe kosovarët në Türkiye i shohim si një urë miqësie mes dy vendeve. Do të takohemi edhe me ta”.

Pasi informoi se vlerësuan edhe çështjet se çfarë mund të bëjnë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet globale dhe rajonale dhe se kanë shkëmbyer mendime për efektet e këtyre zhvillimeve në rajon, në Ballkan, në Kosovë dhe në Türkiye, Çavuşoğlu theksoi më tej:

“Sot patëm mundësinë të përsërisim edhe një herë mbështetjen tonë për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin politik të Kosovës. Ne i kushtojmë rëndësi forcimit të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe integrimin e saj rajonal dhe ndërkombëtar. Si Türkiye, ne mbështesim perspektivën e Kosovës për anëtarësim në institucionet euroatlantike”.

Ai vuri në dukje se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve po përparojnë me shpejtësi.

“Marrëveshja jonë e tregtisë së lirë ka hyrë në fuqi në vitin 2019. Disa qarqe dashakeqe bënë fushatë kundër kësaj marrëveshjeje të tregtisë së lirë. E kemi parë këtë. Por, kontributi i këtyre marrëveshjeve në marrëdhëniet tona ekonomike është i dukshëm. Tregtia jonë është rritur përafërsisht 53 për qind vitin e kaluar. Edhe eksportet e Kosovës në Türkiye janë dyfishuar. Ka një rritje prej afërsisht 21 për qind të eksporteve të Kosovës në Türkiye në tremujorin e parë të këtij viti. Megjithatë, kjo shifër na duket e pamjaftueshme. Besojmë se Kosova ka më shumë produkte për të shitur në Türkiye. Me rritjen e eksporteve të Türkiye-s në Kosovë, ne duhet të punojmë së bashku për të rritur edhe eksportet e Kosovës në Türkiye”, tha Çavuşoğlu.

Në këtë drejtim, Çavuşoğlu theksoi se duhet të mbahet sa më parë takimi i Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe të mblidhen rregullisht forume biznesi dhe të bashkohen njerëzit e biznesit.

– Investimet turke në Kosovë sigurojnë mundësi punësimi për më shumë se 10 mijë kosovarë

Pasi vuri në dukje se për të balancuar këtë, investimet turke në Kosovë duhet të rriten, Çavuşoğlu tha se “Investimet turke këtu në njërën anë ofrojnë punësim dhe mundësi punësimi për më shumë se 10 mijë kosovarë. Deri më tani ka pasur një investim prej 410 milionë dollarësh. Gjithashtu Kosova ka rritur eksportet në vendet e treta. Prandaj, natyrisht që kompanitë tona do të investojnë edhe më shumë për sa kohë që Kosova rrit mundësitë dhe përmirëson kushtet e investimit të biznesmenëve tanë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në këto çështje. Edhe ne inkurajojmë njerëzit tanë të biznesit që të rritin tregtinë dhe investimet tona. Kur erdha këtu kam mësuar se një kompani kafeje ka bërë investim në Türkiye. Edhe nga kjo unë jam i kënaqur. Si në aspektin e kompanive, edhe në sektorin privat është e rëndësishme dukshmëria e Kosovës edhe në Türkiye”.

Çavuşoğlu nënvizoi se mund të zhvillohen punime edhe në fushën e energjisë dhe se me rritjen e çmimit të energjisë, një nga prioritetet kryesore për të gjithë është energjia.

Duke potencuar se kompanitë e fuqishme në energji janë të gatshme të investojnë, veçanërisht në fusha të tilla si energjia e rinovueshme, diellore dhe të erës, Çavuşoğlu tha: “Ata nuk duan një garanci blerjeje. Po kështu, do të sjellin vetë financimin e tyre. Do të përfundojnë investimet e tyre brenda një viti. Unë besoj se kompanitë tona shumë të fuqishme janë të interesuara për këto investime. Kosova do të eksportojë edhe energji elektrike në vendet e rajonit në një kohë të shkurtër”.

Ai rikujtoi se kanë nënshkruar marrëveshjen për aviacionin civil dhe theksoi se me këtë marrëveshje do të ketë rritje të kontakteve mes popujve, numrit të turistëve dhe numrit të frekuencave.

Në një vlerësim lidhur me institucionet turke në vend, Çavuşoğlu tha se “TIKA jonë është jashtëzakonisht aktive. Ata kanë realizuar deri më sot më shumë se 700 projekte në Kosovë. Me mbështetjen e qeverisë së Kosovës, ata vazhdojnë punën e tyre për të zbatuar projekte të reja. Mbështetja jonë për Kosovën vazhdon të rritet, ku krahas mbështetjes tonë politike Qendra jonë turke kulturore Yunus Emre, Fondacioni Maarif, vazhdojnë mbështetjen në fushën e kulturës, arsimit, në ekonomi pra në çdo fushë.

– “Prania e FETO-s vazhdon çdo punë negative për të helmuar marrëdhëniet tona”

Duke vënë theksin se prania e organizatës terroriste FETO në Kosovë është problemi më i madh përballë marrëdhënieve Çavuşoğlu tha:

“Mund të themi që është sprova e vetme, përveç kësaj nuk kemi asnjë problem. Sepse kjo prani e FETO-s vazhdon çdo punë negative për të helmuar marrëdhëniet tona. Prania në Kosovë e FETO-s e cila bëri përpjekje për grusht shteti në Türkiye na lëndon thellë ne dhe popullin turk. Nuk mund ta kaloj pa thënë këtë këtu. Strategjinë e ngjashme që ka zbatuar në të kaluarën kohë më parë, po e zbaton në mënyrë të njëjtë edhe në Kosovë, këto ne i shohim. Në njërën anë ata vazhdojnë të helmojnë të rinjtë, ndërsa në njërën anë rrisin investimet e tyre në media”.

“Po ashtu në anën tjetër vazhdojnë në të njëjtën mënyrë punimet për infiltrime në institucionet shtetërore. Pra, po bëjnë atë që kanë bërë në Türkiye dhe në vendet e tjera. Prandaj është e trishtueshme që ne si Türkiye t‘i shohim këto në Kosovën mike dhe vëllazërore. E shohim se këto janë të rrezikshme edhe për vetë sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës. Ju mos dëgjoni sugjerimet e disa vendeve, si për shembull, të mbështesni organizatën FETO ose të mos dëgjoni Türkiye-n. Pra, asnjëra prej tyre nuk mund të ketë dobi për ju. Prandaj, kjo është gjithashtu e rëndësishme për sigurinë tuaj”, tha Çavuşoğlu.

– “Si Turqi, nuk do të lejojmë që ky rajon të kthehet në ditët e errëta të viteve 90”

Pasi përmendi vizitat e tij në pesë vende të Ballkanit, Çavuşoğlu tha: “Filluam në Beograd. Edhe aty kemi dhënë të njëjtat mesazhe. Ne mbështesim dialogun Prishtinë-Beograd, pra Kosovë-Serbi. Dhe mendojmë se marrëveshja duhet të arrihet përmes diplomacisë. Gjithashtu, zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë, zhvillimet në rajon, lufta e Ukrainës kanë reflektime negative ndaj rajonit, ka mësime që duhet mësuar. Kemi parë se tensioni në rajon është rritur”.

“Si Türkiye, ne kemi thënë shumë herë se nuk do të lejojmë që ky rajon të kthehet në ditët e errëta të viteve 90. Jemi duke bërë të gjitha llojet e punës për këtë. Ne do të vazhdojmë përpjekjet në këtë drejtim si një vend që mund të bisedojë me të gjithë dhe që ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet në rajon. Do të nxjerrim në plan të parë diplomacinë. Prandaj dialogu është jashtëzakonisht i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, tha Çavuşoğlu.

Para konferencës për media, ministri Çavuşoğlu dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit të Aviacionit Civil që parashikon Rritjen e Frekuencave të Fluturimeve.