




Qeveria e Kosovës dhe mazhoranca e Kuvendit të Kosovës janë kundër një tërheqje tjetër nga Trusti, kërkesë kjo e formalizuar nga Partia Demokratike e Kosovës përbrenda parlamentit.
Kësaj here si qeveritar janë kundër, por në vitin 2021, hiç më pak se 7 zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës GUXO kanë tërhequr mijëra euro mjete nga Trust.





Në këtë listë është edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka tërhequr 1,054 euro nga Trusti Pensional.
Të drejtën për tërheqje nga Trusti e kanë shfrytëzuar edhe kolegë të saj nga partia e nga qeveria. Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i ka tërhequr plot 2,658 euro nga Trusti.





Më pak kursime në Trust ka pasur Faton Peci i Listës GUXO, por që kjo nuk e ka ndalur që ta shfrytëzojë rastin dhe t’i marrë ato pas miratimit të ligjit.
Para nga Trusti kanë marrë edhe Arijeta Rexhepi (1000 euro), Adnan Rrustemi i cili ka tërhequr 2084 euro të tijat dhe 844 të gruas, Visar Korenica ka tërhequr 1,762 euro dhe Jeta Statovci 480 euro.
Së paku kjo është pasqyra e zyrtarëve të lartë që kanë tërhequr para nga Trusti vitin e kaluar, të deklaruara në AKK gjatë deklarimit vjetor të pasurisë.