Sinjale të qarta nga BE-ja për liberalizimin e vizave për Kosovën

Diplomatët në Bruksel kanë shprehur një optimizëm të kujdesshëm se Franca, pas rundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen të dielën dhe pas përfundimit të presidencës së saj me BE-në, do të heqë dorë nga kundërshtimi i vendimit për liberalizimin e vizave. Ngritja e kësaj çështjeje në nivel të lartë në disa vende të BE-së jep shenja se liberalizimi mund të ndodhë në pjesën e dytë të vitit

Burime diplomatike nga Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur të enjten për KOHËN se liberalizimi i vizave për Kosovën është një çështje që do të diskutohet në nivelin më të lartë gjatë takimit të ardhshëm të liderëve të bllokut.

Burimet kanë bërë të ditur se kjo jep shenja për optimizëm se mund të ndodhë liberalizimi i shpejtë i regjimit të vizave për kosovarët.

“Optimizëm i kujdesshëm” është fjalia më e shpeshtë që dëgjohet në Bruksel nga disa diplomatë të BE-së, kur pyeten lidhur me gjasat për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët, të cilët janë të vetmit në Evropë që ende nuk e gëzojnë mundësinë e udhëtimit të lirë në zonën Schengen.

Për më shumë se tre vjet, thirrjet e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave nuk kanë pasur ndonjë efekt tek vendet anëtare të bllokut. As konfirmimi i vazhdueshëm nga ana e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, si dhe rekomandimi për liberalizimin e vizave nuk e kanë lëkundur Këshillin e BE-së, ku edhe ka ngecur çështja. Krahas formulimeve “e dimë rëndësinë që ka liberalizimi për qytetarët e Kosovës” dhe “çështja ndodhet për shqyrtim në Këshill”, nga Këshilli i BE-së nuk ka pasur asnjë njoftim konkret.

Sipas procedurave të marrjes së vendimit në BE, Komisioni Evropian jep vlerësimin për përmbushjen e kritereve dhe e jep rekomandimin, ndërsa Parlamenti Evropian e jep pëlqimin dhe vendimi në fund merret nga shtetet anëtare në Këshill.

Nuk janë Kosova dhe mediat e Kosovës të vetmet që thonë se pengesa kryesore deri më tash ka qenë Franca. Këtë e kanë thënë të gjithë diplomatët e BE-së në Bruksel, me të cilët ka biseduar KOHA gjatë një periudhe më shumë se njëvjeçare.

Franca nuk e ka trajtuar si krejtësisht të saktë vlerësimin e KE-së se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet” dhe ka vazhduar që të ketë disa shqetësime të veta. Disa prej tyre kanë qenë të ndërlidhura me dëshirën që në Kosovë të ketë më shumë shembuj të dënimeve për krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel të lartë, porse disa argumente të tjera të Francës kanë pasur ndërlidhje edhe me ardhjen e numrit të madh të shtetasve të Shqipërisë dhe Gjeorgjisë në këtë shtet evropian për të kërkuar azil, ndonëse nuk i përmbushnin kushtet.

Franca, sipas disa diplomatëve evropianë, ka synuar që të sigurohet se një ditë, kur të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, të mos ketë ardhje masive të tyre në Francë me kërkesa për azil. Por disa diplomatë e kanë lidhur kundërshtimin e Francës edhe me situatën e brendshme, pasi që mbërritja aty e të huajve është një çështje shumë e ndjeshme dhe është keqpërdorur e djathta ek streme.

“Ka shenja pozitive edhe nga Franca”, kanë thënë tani diplomatët. E kur Franca të heqë kundërshtimin, nuk pritet që ndonjë shtet tjetër ta pengojë vendimin për liberalizimin e vizave, i cili në fund merret me shumicë të kualifikuar dhe jo me konsensus.

Diplomatët në Bruksel kanë një optimizëm të kujdesshëm se Franca, pas rundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen të dielën, dhe pas përfundimit të presidencës së saj me BE-në, do të heqë dorë nga kundërshtimi i vendimit për liberalizimin e vizave.

Ngritja e kësaj çështjeje në nivel të lartë në disa vende të BE-së jep shenja se liberalizimi mund të ndodhë në pjesën e dytë të vitit.

Premtimet publike të kancelarit Olaf Scholz se Gjermania do të angazhohet për liberalizim të vizave, po ashtu, janë kuptuar si një element i rëndësishëm.

Gjermania përveçse ka ndikim të madh në BE, ka edhe si argument faktin se në territorin e saj jeton numri më i madh i qytetarëve me prejardhje nga Kosova, dhe se është shteti që ka më së shumti lidhje me Kosovën. Kjo temë pritet që të përmendet edhe në diskutimet gjatë takimit të liderëve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor më 23 qershor në Bruksel, ani se takimi nuk është i natyrës formale. Mirëpo në rast se nga niveli më i latë politik ofrohet mbështetja për liberalizimin, dhe me këtë pajtohet edhe Franca, atëherë nuk do të jetë e vështirë të përmbyllet procedura në grupet punuese në Këshillin e BE-së.

Si “moment i ri” kuptohen edhe rrethanat e krijuara për shkak të kërkesës së Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.

Komisioni Evropian për këto vende do të rekomandojë dhënien e statusit të kandidatit, ani se deri para pak kohësh ato nuk shiheshin si shtete që kanë ndonjë perspektivë për anëtarësim, ndërsa tani do ta tejkalojnë edhe Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

Të tri shtetet qëmoti kanë edhe liberalizimin e vizave. Gjëja më e vogël që BE-ja mund t’i ofrojë Kosovës tani është liberalizimi i vizave.

Meqenëse deri në përfundimin e kryesimit të BE-së nga Franca kanë mbetur vetëm edhe dy javë, procedura për liberalizimin e vizave për Kosovën, po që se do të ketë vullnet politik, do të përmbyllej në pjesën e dytë të vitit, kur Republika Çeke do ta nisë kryesimin e saj të radhës./KOHA