Si u bë hit golf njëshi i ndryshkur i shkupjanit që u bë reklamë e sigurimit më të njohur zviceran (VIDEO)

Gjithçka filloi para dy vitesh. Xhevat Fuga nga Shkupi vendosi ta sjellë një veturë Golf nga Maqedonia dhe e shpalli për shitje në platformën zvicerane „Auto Scout“. Vetura e vjetër, prodhimi i 1983-shit, Golf 1, ngjyrë të verdhë, lëndë djegëse benzinë, i regjistruar, me autotarga të Maqedonisë, vetëm 70 mijë kilometra të kaluar. Gjasat për ta shitur ishin të mëdha pasi bëhej fjalë për një veturë tepër të vjetër dhe shumë interesante në tregun zviceran, pasi ato janë të rralla në komunikacion. Ai do të kënaqej sikur ta shiste edhe 3 mijë euro.

Një ditë, papritmas Xhevatit i lajmërohet një burrë zviceran, duke i thënë: „Ju luten zotëri, neve na duhet vetura juaj vetëm për rreth tre orë, a mund të na e huazoni?!“. Xhevati shtanget, nuk i besohet aspak, mendoi se ndokush ishte joserioz, prandaj kërkoi që ti jepte pak kohë që të mendohej. Të nesërmen, zvicerani këmbëngulës sërish i lajmërohet:“Zotëri Fuga, neve na duhet vetura vetëm për tre orë, ne i marrim përsipër të gjitha shpenzimet, ne do ta transportojmë me kamion veturën deri në vendin e duhur, rreth 200 km dhe të lutem na trego sa kushton huazimi për tre orë?“. Xhevatit i rrëshqet goja dhe ua jep një çmim qesharak:“Një mijë e dyqind franga“, por gjithnjë me hamendje se dikush po tallej me te.

Ia caktuan datën pas dy javësh dhe vendin e takimit me theks të vecantë që vetura të mos pastrohej, të jetë ashtu e pluhurosur. Ia dërguan edhe adresën se ku do të takoheshin dhe deri në ditën e caktuar askush më nuk i kishte lajmëruar. I preokupuar me këtë ofertë, atë ditë Xhevati ngrihet në ora 04 të mëngjesit dhe niset për në vendin e caktuar. Pesëmbëdhjetë minuta pasi arritë në vend, përnjëherë arrijnë mbi 50 persona të tjerë, disa aktorë të njohur, delegacion nga Anglia e shumë persona të tjerë me pajisje kameramanësh, katër kamera televizive dhe një ambient sikur në xhirimet e Hollywoodit. Xhevati mbetet gojëhapur dhe impresionohet me pamjet. Regjisori ia merr veturën dhe fillojnë xhirimin e reklamës për sigurimin e njohur zviceran „AXA Winterthur“. Pasi përfundoi gjithçka, Xhevatin e paguajnë një mijë e dyqind franga duke e falënderuar pa masë. „Dashta tua shes veturën por nuk pranuan“, pohon Xhevati për Shtegu.com. „Na është dashur vetëm sa për marketing“, i përgjigjen ata. „Po mirë, më intereson ta di përse e zgjodhët mu veturën time?!“, bëhet kurreshtar ai. „Ne na duhej një veturë e vjetër, e vogël dhe me ngjyrë të verdhë, mu ashtu siç e keni ju“, i përgjigjen zviceranët. I kënaqur nga llogaria e papritur, Xhevati kthehet në shtëpi me brengën pse nuk kishte kërkuar më tepër të holla për huazimin.

Por, këtu nuk përfundon gjithcka, pas dy javësh të kaluara, sërish cingërron celulari Xhevatit, ndërsa kësaj radhe e pret një befasi e pakëndshme. „A e keni ju zotëri një veturë për ta shitur me këto të dhëna?!“. „Poooo“, i përgjigjet shkupjani i gëzuar, me shpresë se po i lajmërohej ndonjë blerës. „Unë jam nga Departamenti zviceran i doganave, vetura juaj nuk është e doganuar në Zvicër, prandaj duhet të paguani gjobë“. Xhevatin sikur ta lëshonte toka. U detyrua që të paguaj gjobë prej 150 frangash dhe doganim të veturës prej 300 frangash. Golfi edhe sot e kësaj dite është në Zvicër dhe në gjendje të rregullt për tu vozitur. Ai e ka parkuar në një vendparkim, e ka mbuluar mirë me kopertinë dhe nuk i kujtohet se kur e ka ndezuar për herë të fundit, ndoshta para më tepër se një viti.

Pas kësaj ngjarje, Xhevati nuk e ka ndërmend ta shesë veturën e tij. Një koleg i punës e kishte pyetur përse e ruan Golfin, ndërsa ai i përgjigjet: „Po të dal tani në treg, menjëherë mund ta gjej një veturë të ngjashme me BMW-në tënde, me ngjyrë të njëjtë e opsione të ngjashme. Pa ma gjej ti një veturë si timen“, i përgjigjet Xhevati duke synuar që vetura të arrijë sa më tepër jetëgjatësi në këtë gjendje të mirë që është. „Nuk i dihet, ndoshta ndonjë ditë do të jetë shumë e kërkuar në treg, pasi gjithnjë e më shumë është duke i hipur vlera“, përfundon ai. (Shtegu.com)