




Një mbledhje që u mbajt javën e kaluar e të cilën e kishte udhëhequr Albin Kurti – e ku po merrte pjesë Përparim Rama dhe disa ministra – e varrosi ëndrrën e qindra mijëra të rinjve për organizimin e Sunny Hillit në Prishtinë. Nacionale sjell detaje nga kjo mbledhje, e në të cilën kryeministri Kurti po luante me fjalë dhe po tallej me të pranishmit.
Dukagjin Lipa – babai i pop-yllit më të madh kosovar, Dua Lipës dhe organizatori i festivalit më të madh ndonjëherë në Prishtinë Sunny Hill – ka ndarë një lajm shumë të keq përmes llogarisë së tij në Facebook: Festivali Sunny Hill nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë.





Lipa ka përmendur konkretisht asamblistët e Komunës së Prishtinës dhe dikastere të Qeverisë Kurti si shtytësit drejt një vendimi të tillë, e të cilin e quajti “të vështirë por të domosdoshëm”.
E gjithë çështja ka të bëjë me 17 hektarët që Prishtina vendosi t’i jepte festivalit më të madh në Kosovë për 99 vjet.
Kjo u tematizua gjerësisht madje edhe në politikë, me Vetëvendosjen që shprehte kritika të ashpra në ambientet e Asamblesë Komunale. Por, Asambleja Komunale duket se nuk ka qenë i vetmi vend ku është stopuar ky vendim.





Burime të Nacionales thonë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar personalisht kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, që të anulonte vendimin për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet të 17 hektarëve të lartpërmendur.
“Javën e kaluar në Qeveri është mbajtë një takim, ku ka marrë pjesë Përparim Rama, Albin Kurti, përfaqësuesi i Sunny Hill dhe një pjesë e asambleistëve të VV-së në Kuvendin Komunal. Aty Albin Kurti kishte kërkuar që të anulohej vendimi i Kuvendit Komunal për t’ia dhënë tokën për 99 vjet në shfrytëzim organizatorëve të Sunny Hillit,” – thotë burimi, duke shtuar se kryeministri Kurti filloi “me lojërat e tij të zakonshme “mos të flasim për tokë, por të flasim për festival”.





Kurti kishte thënë – veç tjerash – që do t’i bindte asambleistëve e Vetëvendosjes në Prishtinë për ta votuar vendimin e ri, me kusht që toka të mos jepej për 99 vjet sepse, sipas Kurtit, “ky 99 vjeçari, ka degraduar”.
Kjo edhe e ka zemëruar tej mase organizatorin Dukagjin Lipa, çka çoi në vendimin për anulimin e gjithë festivalit nga Prishtina.
Vendimi i miratuar i Kuvendit Komunal ishte dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për aprovim, por aprovimi nuk kishte ardhur asnjëherë për shkak të ndikimit politik që burimi thotë se e ka ushtruar kryeministri Kurti.





“Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë.” – ka thënë mes tjerash z. Lipa në arsyetimin e vendimit.
Për ta zvarritur edhe më tej gjithë procesin, Nacionale mëson që MAPL-ja, e udhëhequr nga Elbert Krasniqi – e ka dërguar vendimin në Ministrinë e Bujqësisë.
Këtë vit, mes shumë e shumë yjeve të këtij festivali që kishte ndryshuar në mënyrë rrënjësore jetën kulturore në Prishtinë, ishte grupi i famshëm Coldplay, mbretëresha e popit botëror Madonna dhe të tjerë.
Faqja zyrtare e Sunny Hill ka njoftuar se lokacioni i festivalit do të jetë Tirana, si zëvendësuese e Prishtinës.
Për këtë vendim që shkaktoi tronditje në jetën kulturore të Kosovës, ka reaguar edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, znj. Donjeta Sahatçiu, e cila e quan gjithë ndodhinë si “aventurë politike të papranueshme”.