




Pas mbajtjes dyorëshe nga Policia e Kosovës, kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj ka thënë se arrestimi i tij i sotshëm ishte i paligjshëm.
Ai ka pyetur se përse udhërarresti ndaj tij, i lëshuar 16 ditë më parë, u zbatua pikërisht një ditë para protestës së veteranëve.





Molliqaj, duke folur për rastin e tij, ka thënë se “kështu duket përndjekja politike”. Po ashtu, ai ka thënë se përderisa mbahej në arrest, ia kanë konfirmuar edhe policët se arrestimi ishte rezultat i presionit politik.
“Më arrestuan me pompozitet, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar 16 ditë më parë, edhe ai i lëshuar jashtëligjshëm. Më liruan pas 2-3 orësh sepse s’kishin si t’më mbanin kur edhe urdhërarresti edhe arrestimi ishin të paligjshme. Pse zgjodhën pikërisht 1 ditë para protestës së veteranëve ta aktivizojnë këtë urdhërarrest që ishte lëshuar para 2 javësh për një rast krejt tjetër?! Pse më liruan menjëherë, pa më dërguar as në prokurori e as në gjykatë?! Kjo nuk lë asnjë dilemë. Këtë ma konfirmuan edhe policët: arrestimi ishte rezultat i qartë i presionit politik. Tentim frikësimi e shfaqje e forcës, në një kohë kur kundërshtimi qytetar po rritet ndaj kësaj qeverie”, ka shkruar ai.





Molliqaj ka thënë se brutaliteti autoritar që kundërshtimin e vërtetë synon ta shtypë me dhunë, nuk ka tjetër formë.
“Qeverisë Kurti po i dridhen temelet, prandaj këto veprime policore joligjore”, ka theksuar ai.