




Më 23 qershor në Bruksel do të mbahet takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë kthyer më 23 qershor janë ftuar në Bruksel për t’u takuar me anëtarët e Këshillit Evropian.
Mirëpo ende nuk dihet nëse çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë pjesë e agjendës së këtyre takimeve.





Por, presidenti i Serbisë mendon se Kosova në këtë takim do të përfitojë liberalizimin e vizave.
Njohësit e proceseve integruese janë të ndarë në mendime sa i përket mundësisë së liberalizimit të vizave.
Ish-anëtari i delegacionit të Kosovës në dialog, Gazmir Raci, thotë se liberalizimi është më i mundur se më parë edhe për shkak të situatës gjeopolitike në botë.
“Shtetet anëtare te BE-së duhet të reflektojnë karshi qytetareve të Kosovës për t’i hequr nga izolimi i pa drejtë qe po u behet prej disa viteve, edhe përkundër faktit që Komisioni Evropian ka raportuar se janë plotësuar të gjitha kushtet”, deklaroi Raci për Telegrafin.





Ai thotë se Kosova e ka vetëm një qasje gjeostrategjike, derisa Serbia i ka disa.
“Është momenti i duhur që Kosovës t’i konfirmohet perspektiva evropiane me heqjen e vizave edhe për faktin se ka zhvillime dramatike gjeostrategjike dhe tendenca nga Rusia që përmes Serbisë ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor”.
Arbër Fetahu nga GLPS nuk e përjashton mundësinë që të diskutohet për liberalizimin e vizave.





“Në këtë takim do të diskutohet për temat e nxehta gjeopolitike të momentit si Ukraina, sanksionet kundër Rusisë, por mund të diskutohet edhe për temën e liberalizimit të vizave…Mirëpo më herët e dimë se procesin e kanë bllokuar shtete të përveçshme”, deklaroi Fetahu për RTV Dukagjinin.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Shqiprim Pula thotë se tema e liberalizimit të vizave është e stërvjetruar.
“Sa i përket paralajmërimeve për liberalizim të vizave me 23 qershor, një gjë duhet ta dimë: Pas vendimmarrjes nga Këshilli Evropian, vendet anëtare veç e veç do të duhej ta ratifikonin një marrëveshje të tillë. Sa është e mundur kjo të ndodh sidomos te vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, mbetet për t’u parë”, deklaroi Pula./Telegrafi/