Për votimin e Projektligjit për Pagë minimale, ku nuk u përfshinë veteranët e UÇK-së, askush nuk e mori fajin, të gjithë e fajësuan njëri -tjetrin. Opozita e akuzoi pushtetin se bashkëpunoi me listën Srpskam ndonëse kjo u mohua nga këta të fundit. Më i ashpëri ishte Ramush Haradinaj që Kurtin e Konjufcën i krahasoi me Rrahman Morinën duke i quajtur edhe udbashë. Por, patjetër, që ky vendim, nuk u mirëprit nga vetë veteranët, të cilët do të protestojnë nesër para Kuvendit e Qeverisë, me fillim prej orës 09:30.
Arbenitë Brahimi
Kuvendi i Kosovës dje, në parim, ka votuar Projektligjin për Pagën minimale, që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Pro këtij projektligji votuan 68 deputetë, ku morën pjesë edhe deputetët e Listës Serbe, ndërsa gjashtë të tjerë abstenuan. Në seancën për Projektligjin për Pagën Minimale, nuk mori pjesë Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa LDK qëndroi në sallë por nuk dha votë për.
Pas miratimit të këtij projektligji, në një konferencë për media, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, fajin ia la qeverive paraprake.
Ajo tha se ndarja e pensionit të veteranit është bërë në vitin 2016, nga qeveritë e kaluara.
“Veteranët nuk janë përfshirë në Ligjin për Pagën Minimale, ligji është miratuar për pagën minimale në sektorin privat. Dihet dhe nënkuptohet se ndarja e pensionit të veteranit është bërë në vitin 2016, nga qeveritë paraprake dhe lidhmëria e saj me pagën minimale është ndarë atë kohë”, tha ajo.
Në kohën për të cilën foli Kusari – Lila, kryeministër i Kosovës ka qenë Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Express ka kontaktuar me Mustafën për të marrë një qëndrim karshi deklaratës së Kusarit, por i njëjti ka refuzuar ta komentojë.
Ai tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e shefes së grupit parlamentar të VV-së dhe nuk e përcjell se çfarë thotë ajo “sepse s’thotë asgjë të vërtetë”.
“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e saj dhe nuk e përcjell se çfarë thotë Mimoza, sepse s’thotë asgjë të vërtetë”, tha Mustafa për Express.
Lidhur me miratimin e Projektligjit për Pagë Minimale, kanë reaguar edhe partitë opozitare, të cilat theksin e vunë mbi mbështetjen që VV mori nga Lista Serbe.
I ashpër ka qenë reagimi i kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se është i bindur që edhe Rrahman Morina do t’ia kishte lajmi Glauk Konjufcës e Albin Kurtit.
“Jam i bundur që edhe Rrahman Morina sot do ia kishte lakmi Glauk Konjufcës dhe Albin Kurtit se ku larg kanë mbërri, se e kanë lënë prapa edhe atë. Sot e kemi pa një fitore të UDB-ashëve ose fëmijëve të UDB-së, e përkrahur edhe me votat e Listës Serbe e cila përjashton veteranët e UÇK-së nga Ligji për Pagën Minimale… Sot jemi dëshmitar që në Parlamentin e Kosovës është rikthyer Rrahman Morina, UDB-ja dhe Lista Serbe kanë votuar”, tha Haradinaj.
Për këtë çështje kanë reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu tha se “VV dhe Lista Serbe u angazhuan maksimalisht që veteranët të mos jenë të barabartë në pagën minimale”.
“Sot VV dhe Lista Serbe u angazhuan bashkë maksimalisht jo vetëm që veteranët të mos jenë të barabartë në pagën minimale, por që edhe historia e tyre të minimalizohet maksimalisht. Sot VV dhe LS u bënë me një gojë që UÇK-ja të mbetet vetëm gojëdhënë e përjashtuar nga çdo lavdi e histori dhe më së shumti nga çdo institucion i Kosovës. Sot Vetëvendosja dhe Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës u morën vesh se si t’i vlerësojnë veteranët e UÇK-së duke i diskriminuar dhe duke i përjashtuare e nënçmuar”, tha Abdullahu.
Pas këtyre akuzave, në një konferencë për media, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, tha se Listën Serbe e ka dërguar PDK, që t’i japë konotacion, ‘i cili u përcjell edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre”, por nuk kanë kërkuar votë nga partia serbe.
“Si pozitë, sot nuk kemi kërkuar votë nga Lista Serbe. Ka muaj tashmë që ata janë rreshtuar krah opozitës, atë e deklarojnë edhe në votim, përderisa, sot qëndruan vetëm t’i japin hije të keqe një procesi, në mënyrë që të jepet argumenti për partinë e cila nuk kishte guximin të ishte vetë në sallë, si parti e mirëfilltë parlamentare, për të treguar kundërshtinë e vet. Ajo çka unë mund të them është se pa Listën Serbe, rezultati do të ishte i njëjtë në miratim të këtij projektligji”, tha Kusari – Lila.
Kundër Kurtit, doli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, i cili tha se është i indinjuar me votimin e kolegëve të tij për miratimin e projektligjit për pagë minimale.
Në Frontal, ai tha se Qeveria po bën “luftë speciale kundër veteranëve” dhe se ministri i Financave, Hekuran Murati “po bën lojë të ndytë me këtë kategori”.
“Vetëvetiu tendenca për më lidh pagën minimale me veteranët duke cilësuar se ata po e pengojnë rritjen e pagës minimale është luftë speciale kundër veteranëve dhe në kohën kur po festohet clirimi i Kosovës është hipokrizi e madhe nga institucionet, qeveria ministri i cili po bën lojë të ndyrë me këtë kategori”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si lajm të mirë miratimin e Projektligjit, mirëpo nuk i përmendi askund veteranët e as përkrahjen nga Lista Serbe.
“Lajm i mirë për qytetarët që sot Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po e rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, ka shkruar Kurti. /GazetaExpress/