




Veturat e shumëpërfolura BMW të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, janë dërguar për servisim në Maqedoninë e Veriut.
Servisimi i tyre nuk është bërë në Kosovë, edhe pse BMW-ja ka servis të autorizuar. Në MPJD nuk kanë pranuar të flasin. Ndërsa, Besnik Mustafa, djali i ish-kryeministrit Mustafa, kompania e të cilit e ka autorizimin për BMW-në në Kosovë, e ka sqaruar situatën.
Në Kosovë ekziston servisi për shitjen dhe rregullimin e BMW-së. Madje, ai mund të gjendet lehtë për këdo që ka nevojë.





Edhe pronarët e këtij biznesi njihen nga e gjitha Kosova, pasi janë djemtë e ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Megjithatë, duket se ky fakt nuk po i pëlqen ministres Donika Gërvalla, pasi institucioni që ajo drejton e ka futur në “listë të zezë” biznesin e djemve të Mustafës, duke vendosur që veturat e MPJD-së t’i çojë tek mjeshtrit jashtë shtetit.
Demokracia.com ka siguruar fotografi të veturave zyrtare të MPJD-së, që dëshmojnë se ato janë dërguar për servisim në Maqedoninë e Veriut.





Redaksia ka kërkuar një sqarim nga MPJD lidhur me dërgimin e veturave për servisim jashtë Kosovës, por deri më tani nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Për hir të transparencës bëhen publike edhe pyetjet që i janë dërguar këtij institucioni.
“Pse MPJD ka vendosur që t’i dërgojë këto vetura për servisim në Maqedoninë e Veriut dhe jo tek kompania që operon në Prishtinë? A mund të na tregoni sa është vlera e tërë servisimit që do t’i bëhet këtyre veturave? Sa vetura BMW, pronë e MPJD, janë dërguar në Maqedoninë e Veriut për servisim?”.