Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme do të diskutojë të martën raportet për Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë, përfshirë edhe për qindra amendamente që janë propozuar për t’u përfshirë në këto raporte.
Në draftin e raportit që e kishte prezantuar më parë raportuesja për Kosovën në këtë trup, Viola von Cramon, është përsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.
Në tekstin e këtij dokumenti i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në dokument përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë, shkruan Rel.
Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.
Sipas dokumentit që pritet të diskutohet më 14 qershor, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione, dhe me një rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion.
Megjithatë, Kosova është kritikuar për situatën në gjyqësor.
Është shprehur shqetësim me arsyetimin se gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike.
Në këtë drejtim është përshëndetur propozimi për reformën në prokurori dhe është kërkuar që të merret parasysh mendimi i Komisionit të Venecias.
Për raportin për Kosovën janë paraqitur më shumë se 300 amendamente. Një numër i madh i tyre janë paraqitur nga disa deputetë nga Spanja, të cilët kanë propozuar që nga raporti të largohen të gjitha referencat që e trajtojnë Kosovën si shtet.
Ndërkaq disa deputetë nga e djathta ekstreme, më së shumti nga Franca dhe Gjermania, kanë propozuar që, në vend të thirrjes për liberalizim vizash, të thuhet se “vizat nuk duhet të liberalizohen në një të ardhme të afërt”.
Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raportet për të tria shtetet do të diskutohen dhe do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian.
Këto rezoluta kanë peshë politike, por nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së
Në draft-raportin për Serbinë shprehet keqardhje për faktin se ky shtet nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Aty po ashtu u bëhet thirrje autoriteteve në Serbi që “të dëshmojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të përshtaten me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë”.
Ka pasur shumë amendamente të propozuara nga disa deputetë që të kushtëzohet procesi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.