Dyshja Vuçiq-Rama, le ta lozin “Vallen e Kozares” të Titos, por jo në Kosovë!

Kohëve të fundit po shkruhet dhe po flitet shumë për sintagmën “Ballkani i Hapur”, por asgjë e re dhe e saktë nuk po dokumentohet për Kosovën, veç përsëritjes triviale të gjithë asaj që është thënë dhe shkruar, që nga themelimi i “Minishengenit” në Novi Sad (10 tetor 2019) deri te ndryshimi i emërtimit të tij në “Ballkani i hapur” (29 korrik 2021) në Shkup, si dhe në samitin e fundit në Ohër, më 8 qershor 2022.

***

Meqë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq paska shprehur gatishmërinë, që edhe Kosova të jetë anëtare e “Ballkanit të hapur”, atëherë pse orë e çast Kosovën e quan “llazhna drzhava” (shtet i rrejshëm)?!

Presidenti Vuçiq qe 9 vjet rresht “trumbeton” para botës, dhe betohet para popullit serb, se kurrë me dorën e vet nuk do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës, mbase për të dhe për Serbinë kolonialiste dhe gjeocidale, Kosova është vetëm një “llazhna drzhava”!? -Atëherë ku është logjika politike këtu, pse Vuçiqi dhe vasali i tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po i ftojnë kryeministrin Abin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, që të hyjë Kosova në “Ballkanin e hapur” të tyre, kinse nuk ka karakter politik, por vetëm ekonomik e tregtar!? –Përkundrazi, sa ka rëndësi ekonomike, aq më të madhe ka edhe rëndësinë gjeopolitike dhe kolonialiste për ta asgjësuar tërësisht shtetin e pavarur të Kosovës. Ky është “mision” afatgjatë i “Ballkanit të hapur”, jo zhvillimi dhe përparimi i Kosovës, në asnjë kuptim.

Fundja, për Kosovën nuk ka fare rëndësi se çfarë përmbajtje politike a ekonomike ka “Ballkani i hapur”, sepse ky është vetëm një “maketë e re” e Jugosllavisë së Titos, i cili deshi ta përfshinte edhe Shqipërinë Socialiste si republikë të shtatë. Mirëpo, Stalini më 1948, ia “zuri në fyt” Titos atë kafshatë të madhe të pushtimit të Shqipërisë.

“Ballkani i Hapur” ka karakter ekonomik, tregtar, por për Serbinë, para së gjithash ka karakter gjeopolitik dhe gjeostrategjik, sepse kjo do të ishte “formula” më e kapshme, që gradualisht Kosovën ta ritkhejë nën sovranitetin kolonial të saj (1912-1999).

Po, sigurisht se llakërdia mashtruese “Ballkani i hapur”, ka edhe karakter ekonomik, mbase assesi kolonialistët serbë të pajtohen me humbjen e gjigantit “Trepça” (të pasur me ari, me argjend, zink e bakër). Kjo është kuintesenca e konfliktit shekullor mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë qëllim të riaktivizimit, përkatësisht të rikthimit kolonial të Serbisë hegjemoniste gjenocidale mbi Kosovën, tani së bashku me Edi Ramën, e kanë shpikur “Ballkanin e hapur”, se si ta shfrytëzojnë (ta bëjnë tangallë) arin dhe argjendin e Minierës “Trepça”, si dhe burimet e tjera nëntokësore të Republikës së Kosovës, ashtu sikurse shekuj më parë.

Edhe pse kryeministri Edi Rama po përjeton “ ëndrra të bukura” serbo-jugosllave në kurrizin e Kosovës (duke u fryrë si “bretkoca” e Lafontenit, me kërcënime dhe me kushtëzime verbale nga takimi i Ohrit, më 8 qershor 2022), duke e mbështetur strategjinë kolonialiste dhe neokolonialiste të Aleksandër Vuçiqit, që ta detyrojë Kosovën, t’i bashkohet “Ballkanit të hapur”, kjo fantazmë filoserbe e Ramës, nuk do të kenë asnjë shans, që ta bindë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, që të pranojnë kapitullimin politik, diplomatik, historik, kombëtar, rajonal, evropianoperëndimor dhe ndërkombëtar, duke nënshkruar hyrjen në “mullirin” e Don Kishotit serb dhe të Sanço Panços shqipfolës.

Rama e ka për detyrë ta mbështetë “Ballkanin e hapur”, sepse është në interesin kolonial, gjeopolitik dhe gjeoekonomik të Serbisë së Madhe, e cila Kosovën e quan pjesë integrale të Serbisë. Mirëpo, kjo nuk e pengon argatin e Vuçiqit, Edi Ramën, i cili, edhe në samitin e Ohrit, më 8 qershor 2002, të deklaronte se “Kush t’i kundërvihet ‘Ballkanit të hapur’, do të zhgënjehet… Ftesa gjithmonë e hapur për Kosovën, askush s’ia zë vendin…” . –Të bëfshin mirë drekat e darkat me Vuçiqin, e sa për Kosovën ka kush të mendojë e t’i dalë Zot, ka Albinët dhe Vjosat e saj.

Këtë “ftesë” për të poshtëruar, mashtruar dhe tradhtuar Kosovën, Edi Rama le t’ia dërgojë “babit” të tij ideologjik partiak, Fatos Nano, i cili dikur në kohën e shtetrrethimit të Kosovës nga forcat çetniko-fashiste të Slobodan Milosheviqit pati deklaruar se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi, jo Prishtina.

-Po, po, po shihet prej “majave të Himalajeve” se, Edi Ramë tregtari po reflekton dëshirën politike proserbe jetësore, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të rreshtohej mes Ramës dhe Vuçiqit, si vasal i tyre, i pabarabartë, pa shtetin e njohur nga OKB-ja.

Mirëpo, këtë film prodhues të “Ballkanit të hapur” të Don Kishotit serb dhe të Sanço Panços shqipfolës, Edi Rama nuk ka për ta parë kurrë, sepse lidershipi i Kosovës, do të vendosë në favorin e Kosovës, jo të Serbisë së Vuçiqit dhe të Edi Ramës!

Neve nuk na duhen “shpjegimet” e gjymtuara nga disa partizanë të “Ballkanit të hapur”, se gjoja, kur pas LDB-së, disa shtete të Evropës patën lidhur marrëveshje ekonomike e tregtare, si “TPE”, “Marrëveshja e Brukselit”, “Bashkësia Evropiane për Çelik dhe për Qymyr”… etj.

Të gjitha këto marrëveshje paqësore kanë pasur karakter të dyfishtë: ekonomik dhe politik. Krejtësisht është e justifikueshme lidhja e tyre, sepse asnjëra prej tyre nuk ka qenë shtet i papërfunduar si Kosova, por të të gjitha shtete me status të barabartë. Prandaj, shembujt e tillë nuk i “bien tamam” Kosovës, që të hyjë në “Ballkanin e hapur”, sepse kjo së PARI, duhet të njihet nga OKB-ja, që të jetë e barabartë me shtetin e Serbisë dhe me shtetin e Shqipërisë.

Prandaj, Kosova nuk ka pse të hyjë në “Ballkanin e hapur”, sepse do të rrezikojë statusin e vet, ekonominë e vet, zhvillimin e vet të gjithmbarshëm, sigurinë, pavarësinë dhe sovranitetin e vet.

Vuçiq-Rama në “kozoraçko kollo” për ta harruar gjenocidin e Serbisë në Kosovë (1989-1999)

Edi Rama me Aleksandër Vuçiqin, le të luajnë “kozoraçko kolo” të vëllazërim-bashkimit të Titos derisa të ngopen me këmbime dhe me “fitime” të ndërsjella ekonomike e tregtare, si dhe me pazare të tjera, se si t’ia hedhin Kosovës si në aspektin gjeopolitik, ashtu edhe në atë gjeoekonomik dhe gjeostrategjik në Ballkan, sepse Kosova është e pasur me ari, me argjend, me plumb, me zink, me bakër, me ferronikel, me qymyr dhe me minerale të tjera të çmueshme nëntokësore.

-Ky është problemi, pse Serbia nuk po heq dorë nga ish-kolonia e saj-Kosova, jo statusi i minoritarëve kolonë serbë, jo kishat dhe manastiret e Serbisë në Kosovë, sepse ruajtja e tyre është e garantuar, e mbrojtur dhe e siguruar me ligj dhe me Kushtetutën e Kosovës; ato janë mirë, askush nuk po i prek, as nuk po i rrezikon në asnjë kuptim. Të gjitha të tjerat, janë gënjeshtra të politikës propagandistike shtetërore, kishtare dhe masmediale serbomadhe për ta rikthyer sovranitetin kolonial serb në Kosovë , edhe përmes “Ballkanit të Hapur”.

Mirëpo, Kosova hëpërhë nuk i plotëson kushtet për të hyrë në “Ballkanin e Hapur”, thjesht, për faktin se, ende nuk ka cilësinë juridike të subjektivitetit ndërkombëtar si shtet i pavarur dhe sovran, ashtu siç e kanë Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Veriore. Pikërisht, ky është argumenti kryesor, pse Kosova nuk mund të aderojë në “Ballkanin e Hapur” të Vuçiqit dhe të Edi Ramës, mbase do të diskriminohej si i pabarabartë me Serbinë dhe me Shqipërinë etj.