Anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian nesër duke filluar nga ora 09:00 në Bruksel do të votojnë për miratimin e raportit të këtij viti për Serbinë.
Në draft-raportin e paraqitur nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik, në prill janë dorëzuar 439 amendamente dhe grupet parlamentare miratuan 40 amendamente të cilat zgjeruan tekstin e raportit.
Sipas draft-tekstit të raportit shtohet se amendamentet presin gjithashtu që Prishtina dhe Beogradi të nënshkruajnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, të bazuar në njohjen reciproke, e cila, nëse miratohet, do të jetë si zgjidhje e nevojshme për dialogun Kosovë-Serbi, përcjell Paparaci.
Deputetja e të Gjelbërve, njëkohësisht raportuesja e PE-së për Kosovën, Viola von Cramon, së bashku me deputetin liberal Klemen Groschel dhe disa përfaqësues të socialdemokratëve në këtë parlament, është autore e numrit më të madh të amendamenteve të dorëzuara në raportin për Serbinë, veçanërisht në pjesën që lidhet me bashkëpunimin me Rusinë.
Në fokus të raportit të tij për Serbinë këtë vit, Parlamenti Evropian po ashtu i bëri thirrje Beogradit që “urgjentisht” të harmonizohet me sanksionet e vendosura nga BE kundër Rusisë dhe Bjellorusisë dhe e vendosi atë si një nga kushtet për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën drejt integrimit evropian, raporton B92, transmeton Paparaci.
“Autoriteteve serbe u kërkohet të angazhohen realisht në reformat e nevojshme dhe ta kthejnë vendin në rrugën e duhur të integrimit evropian, duke përmbushur kështu aspiratat evropiane të Serbisë”, thuhet në tekst.
“Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raporti për Serbinë do të jetë në votim përfundimtar plenar të Parlamentit Evropian në fillim të korrikut, kur do të miratohet në formën e një rezolute juridikisht jodetyruese për Serbinë”, thuhet në artikullin e mediave serbe.