“Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili shpërndau një postim në profilin e tij personal në facebook ku Edi Rama quhej “pro-serb”, postim të cilin më pas e ka fshirë.
Çitaku i doli në mbrojtje Ramës duke thënë se shumë herë kryeministri i Shqipërisë i ka dal në mbrojtje Kosovës, më shumë se ne.
E ndaj, këtij reagimi të Çitakut ka reaguar profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.
Ai në një postim në Facebook u shpreh se të gjithë ata që e përkrahin “këtë që është “pak pro-serb” kanë një gjë të përbashkët: E lavderojnë Edi Ramën për performancën, stilin, diskursin, fjalimet, por nuk guxojnë të thonë se ai na “qenka nje patriot i madh”!”
“Kjo do të thotë se Vlora, Valoni e të tjerë njerëz pro-Rama ose janë inferiorë në kulturën e tyre politike e të përgjithshme dhe Rama u duket madhështia e kësaj kulture! Ose paguhen për ta mbrojtur atë që nuk mbrohet! Sepse zoti Bislimi e ka kursyer kryeministrin Rama. Në fakt është më serb se serbët! Më Vuçiq se Vuçiqi! Madje aty ku Vuçiq nuk ka fuqi të vetëmbrohet, pikërisht në atë pikë gjendet Rama në mbrojtje të tij. P.sh te justifikimi i gjenocidit serb në Kosovë me “rrëmujë ballkanike”!”, deklaroi Bytyçi, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka hedhur një status në FB, në të cilin e konsideron kryeministrin e Shqipërisë, zotin Rama, “pak pro serb”!
Kaq është dashur dhe Vlora Çitaku e ka marrë në mbrojtje Edi Ramën. Me pas kanë reaguar në përkrahje të Ramës edhe disa analistë dhe fansa kalemxhi të kryeministrit shqiptar në Prishtinë.
Të gjithë këta që përkrahin këtë që është “pak pro-serb” kanë një gjë të përbashkët: E lavderojnë Edi Ramën për performancën, stilin, diskursin, fjalimet, por nuk guxojnë të thonë se ai na “qenka nje patriot i madh”! Tuten me shkue deri në këtë pikë!
Kjo do të thotë se Vlora, Valoni e të tjerë njerëz pro-Rama ose janë inferiorë në kulturën e tyre politike e të përgjithshme dhe Rama u duket madhështia e kësaj kulture! Ose paguhen për ta mbrojtur atë që nuk mbrohet! Sepse zoti Bislimi e ka kursyer kryeministrin Rama. Bën pak pro-serb. Në fakt është më serb se serbët! Më Vuçiq se Vuçiqi! Madje aty ku Vuçiq nuk ka fuqi të vetëmbrohet, pikërisht në atë pikë gjendet Rama në mbrojtje të tij. P.sh te justifikimi i gjenocidit serb në Kosovë me “rrëmujë ballkanike”!
O të çmendur që jetoni në Kosovë! Liria nuk mbrohet me servilizma dhe justifikime të tilla! Kosova ka nevojë jo për miqësitë e Ramës me Vuçiqin, por për ndërtimin e shtetit dhe institucioneve të tij!