Gazetari britanik, Vaughan Smith, në 23 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, u shpall ‘Qytetar nderi’ nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, për raportimin e tij gjatë Iuftës në Kosovë.
Smith tri vjet më parë në një bashkëbisedim të Frontline Club në Prishtinë i realizuar në bashkëpunim me Info Magazine të Klan Kosovës, pati treguar momente interesante gjatë punës së tij si gazetar në luftën e Kosovës.
Ai raportoi për brutalitetin e regjimit serb gjatë Iuftës në Kosovë, teksa pati treguar se si telefoni që e kishte mbajtur me vete, i kishte shpëtuar jetën.
“Në Prekaz isha me fat kur plumbi goditi telefonin që e mbaja me vete. Nëse nuk do të kishte qenë telefoni; pIumbi do të më kishte goditur në stomak. Mirëpo kur je i ri nuk mendon për rrezikun në të njëjtën mënyrë si në kohën e pjekurisë”.
Tutje, Smith, e ka cilësuar masakrën e Prekazit si ngjarjen kyçe që sensibilizoi komunitetin ndërkombëtar për ndërhyrje në Kosovë.
“Prekazi ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse bëri dy gjëra. Së pari e solli diasporën në Kosovë për shkak të pamjeve të rënda. Gjithashtu edhe politikbërësit ndërkombëtar si Madeleine Albright dhe Tony Blair erdhën në përfundim se diçka duhet bërë”.
“Padyshim që Prekazi ishte ngjarja kyçe dhe fillimi i vëmendjes ndërkombëtare për konfliktin në Kosovë. Besoj se kanë qenë tre masakrat kryesore si ajo e Prekazit, Obrisë dhe Reçakut ato që kanë kapur vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar”.
“Ato pamje janë regjistruar dhe janë parë nga Madeleine Albright dhe natyrisht se kjo ka pasur ndikim. Bashkësia ndërkombëtare i kishte parë këto pamje dhe kjo gjë e sensibilizoi perëndimin”, pati deklaruar Smith.
Gazetari britanik, mes tjerash, pati treguar edhe se si në vitin 1997 në Kubë ishte takuar me taksistin shqiptar, Pleurat Sejdiu, i cili i ka treguar për trazirat në Kosovë dhe e bindi atë që të vijë në Kosovë.
Më poshtë i gjeni videot e gjithë rrëfimit të gazetarit, Vaughan Smith.