Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, kërkesa e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, drejt Serbisë për finalizimin e dialogut me njohje reciproke, është meritë e pakontestueshme e lidershipit kosovar.
Basha ka thënë se si pasojë e punës së Kryeministri Kurti, Ministres Gërvalla, Presidentes Osmani dhe diplomacisë parlamentare, Kosova ka filluar të ndryshojë kursin diplomatik në raport me Serbinë
“Ky quhet sukses miq, ku me një punë t ‘pandalshme dhe qëndrime të koordinuara nga Kryeministri Kurti, Ministrja Gërvalla, Presidentja Osmani dhe diplomacia parlamentare, Kosova fillon me ndryshu kurs diplomatik në raport me Serbinë. Kjo mbase nuk mund të duket mirë për opozitën, por për Kosovën gjithsesi”, ka shkruar Basha në rrjetin e tij social në Facebook.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë ditës së djeshme qëndroi në Kosovë, në vizitën e tij të parë në Ballkanin Perëndimor.
Në një konferencë për media, kancelari gjerman tha se është shumë e rëndësishme për Kosovën që të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja.
Scholz tha se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, meqë është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të jenë në BE.