




Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Disaporës e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ka uruar ditën e çlirimit të Kosovës, por në asnjë fjalë a fjali të vetme nuk e ka përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo çlirimin e ka quajtur “mrekulli”, ndërsa ka përmendur “sakrificën e jashtëzakonshme të vet Kosovës”, por edhe mbështetjen e shqiptarëve anëmbanë botës.
Schwarz ka përmendur edhe ata që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës, ata që kanë luftuar me përkushtim e sakrificë të jashtëzakonshme, por kurrësesi nuk e ka shkruar as akronimin “UÇK”.
Ajo me emër përmend edhe NATO-n e KFOR-in, por jo edhe UÇK-në.
Ky është postimi i saj:





Të gjithë shqiptarëve anembanë, urime dita e çlirimit të Kosovës.
Mrekullia e para 23 vjetëve nuk mund të arrihej pa një sakrificë të jashtëzakonshme të vet Kosovës, pa mbështetjen e të gjithë shqiptarëve anembanë botës dhe pa ndihmën e pazëvendësueshme të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në një ditë si kjo i kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ata që luftuan pa u ndalur me përkushtim dhe sakrificë të jashtëzakonshme, të gjithë ata që kontribuan në të gjitha format për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Fitimtarë jemi gjithmonë atëherë, kur jemi të bashkuar.





Në ditën e çlirimit të Kosovës kujtojmë edhe të gjithë ushtarët e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët kontribuan fillimisht në çlirimin e Kosovës dhe më pas në paqen dhe stabilitetin e saj. Nderimi dhe mirënjohja jonë për ata ushtarë, të cilët gjatë këtij misioni fisnik humbën jetën, do të jetë i përjetshëm.
12 qershori duhet të na përkujtojë gjithmonë se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe forcimi i Republikës së Kosovës.