Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që urgjentisht të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore (SEECP), Osmani e ka quajtur padrejtësi mosliberalizimin.
“Disa nga mendjet tona më të ndritura, nga studentët e deri te doktorantët, studiuesit apo gazetarët hulumtues, humbasin ditën e tyre të orientimit, ditën e diplomimit, mbrojtjen e doktoratës ose një ngjarje me rëndësi profesionale për shkak të mungesës së vizës, për shkak të ngarkesës së ambasadave ose për shkak të mungesës së mundësisë për të rezervuar termin për aplikim për vizë”, ka thënë Osmani, sipas njoftimit të Presidencës së Kosovës.
Osmani ka përsëritur domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
“Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike, fetare apo të tjera. T’i thuash jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është t’i thuash jo të drejtave të njeriut për qytetarët tanë”, ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës është shprehur po ashtu se përballë agresionit të Rusisë në Ukrainë të gjithë duhet të jenë më të kujdesshëm e të mos i hapin dyert “çfarëdo ndikimi keqdashës në rajonin tonë”. Ajo ka kërkuar qëndrim unik të shteteve të rajonit në ndalimin e tendencave të Rusisë për destabilizimin e rajonit.