Krasniqi: Tregoni Gërvallës e Kurtit se liria e Kosovës nuk erdhi vetë

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka uruar sot Ditën e Çlirimit, duke mos përmendur askund Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gërvalla zgjodhi të falënderojë NATO-n, KFOR-in e shumë të tjerë, por assesi nuk përmendi UÇK-në.

E pas kësaj reagime të shumta pati pikërisht në drejtim të Gërvallës.

Ngjashëm ka reaguar edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi.

Krasniqi tha që dikush t’i tregojë Gërvallës e Kurtit që liria e Kosovës, nuk erdhi vetë.

“Le t’u tregojë dikush Donika Gërvallës e Albin Kurtit.

Që liria e Kosovës nuk erdhi vetë. As nga pritja e gjatë, e as nga diplomacia.Le t’u tregojë dikush megjithëse e dijnë mirë,Që as NATO nuk erdhi vetë. As nga lobimi, e as nga shterpësia e politikës dominuese t’asaj kohe.Le t’u tregojë dikush, Donika Gërvallës e Albin Kurtit, Që pa luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot s’do të ishim të lirë.”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se që pa djemtë e vajzat e UÇK-së, që rrezikuan jetën për t’mos vdekur Kosova, nuk do t’binin bombat e NATO-s e as s’do të hynin trupat e KFOR-it.

“Tregoni Donikës e Albinit, që ju edhe mund ta injoroni e luftoni UÇK-në. U munduan edhe tjerë para jush. Por ju do t’përfundoni t’harruar e t’injoruar. Sepse lufta e UÇK-së ishte lëvizja më e sinqertë dhe progresive e historisë së vonë shqiptare. Sepse ishte luftë burimore frymën e së cilës dikush do ta ruajë përherë. Nga fryma e së cilës përherë do t’frymëzohen njerëzit!.”, shtoi ai.