Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Ischinger, njëherësh edhe ish-ambasador gjerman në SHBA, ka përgëzuar qasjen e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, ndaj Serbisë për çështjen e njohjes së Kosovës.
Ischinger një gjë të tillë e ka thënë nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, duke kërkuar që të gjitha shtetet anëtare të BE-së ta njohin Kosovën, raporton lajmi.net.
“Bravo Olaf Scholz : Gjuhë e qartë për Beogradin mbi temën e njohjes së Kosovës nga Serbia! Megjithatë, do të ishte më e dobishme nëse të gjitha anëtaret e BE-së do ta njihnin Kosovën së pari: ka ende shumë për të bërë!”, ka shkruar ish-përfaqësuesi i BE-së, duke përmendur ministren gjermane të Punëve të Jashtme, Anna Baerbock, si dhe ish-ministrin e MPJ-së së Kosovës, Enver Hoxhaj, në cicërimë.
Scholz përgjatë vizitës që pati në Kosovë, e para kjo në pozitën e kancelarit, tha se e sheh të paimagjinueshme integrimin e dy shteteve që nuk njohin njëra-tjetrën në BE.
Deklaratën e njëjtë e përsëriti edhe në Beograd, në konferencë të përbashkët me Vuçiqin.
Ndaj kësaj kërkese, u shpreh i befasuar presidenti serb, ku në prezencë të Scholzit tha se askush në Evropë nuk ia ka kërkuar Serbisë njohjen reciproke.
“Askush në Evropë nuk ka folur ndonjëherë për njohjen reciproke të Serbisë dhe Kosovës. Këtë e dëgjuam për herë të parë sot në një konferencë shtypi në Prishtinë, është një surprizë e madhe për ne”, deklaroi ai.
Në mbrojtje Beogradit pas deklaratës së kreut të qeverisë gjermane i erdhi Moska. “Beogradi nuk i ka borxh asgjë Brukselit”, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke komentuar deklaratën e Scholz për nevojën që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“A janë këta ‘miq’ të Serbisë?”, pyet Zakharova duke shtuar se perëndimi është borxhli ndaj serbëve. “Popullit serb tashmë po i thuhet vazhdimisht se çfarë dhe si të bëjë. Çfarë do të ndodhë më pas?”, shkroi në ‘Telegram’ zyrtarja e Ministrisë së Jashtme ruse.
Kërkesa për njohje reciproke ligjërisht obligative është përsëritur dhjetëra herë edhe nga kryediplomatja gjermane, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e diplomatë të rangut të lartë ndërkombëtar.