




Profesori universitar dhe komentuesi i ngjarjeve politike, Blerim Latifi, ka deshifruar porosinë diplomatike të kancelarit gjerman Olaf Scholz, sipas itinerarit të tij të vizitës dhe pozicionimit në tryezën e takimit në Selanik të Greqisë.
Latifi ka shkruar se nisja e vizitës së Scholz në Kosovë është mesazh se problemi kryesor i Ballkanit perëndimor është raporti Kosovë-Serbi.





“Kancelari gjerman Olaf Scholz u ndal fillimisht në Prishtinë, pastaj shkoi në Beograd dhe në fund në Selanik për t’i takuar të gjithë liderët e Ballkanit. Mesazhi i këtij itinerari: problemi kryesor i Ballkanit perëndimor është raporti Kosovë-Serbi, e jo lehtësirat ndërkufitare për maunet e Ballkanit të Hapur”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Latifit, kjo gjë u reflektua edhe në tryezën e takimit në Selanik, gjatë samitit të SEECP. Ndërkaq, ftohtësinë mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Edi Rama, Latifi e ka quajtur budallallëk tradicional shqiptar.





“Ky mesazh u reflektua edhe në tryezën e takimit të Selanikut. Aty përballë njëri-tjetrit nuk ishin Rama e Vuçiqi, por Vuçiqi dhe Vjosa Osmani. Ndërkaq, ftohtësia e neveritshme dhe hendeku mes Vjosa Osmanit dhe Edi Ramës në tryezë, flet mbi të gjitha për budallallëkun tradicional të shqiptarëve, i cili dallimet në pikëpamje gjithmonë i transformon në inate personale”, ka shkruar ai.