‘Varfëro e sundo’, Ganimete Musliu i reagon ashpër Sveçlës

Para tri ditësh, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që edhe ata të përfshihen në Ligjin për Paga, i cili synon rritjen e pagës minimale, gjë që ligjërisht do të mundësonte edhe rritjen e pensioneve që veteranët marrin nga shteti.

Duke folur për këtë protestë, dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se aty nuk kanë protestuar veteranët por militantët e PDK-së dhe AAK-së.

“Aty nuk protestonin veteranët, aty protestonin militantë të PDK-së dhe AAK-së, për që kanë qenë të cytur e besa të manipuluar nga PDK-ja e AAK-ja kjo s’ka kurrfarë dyshimi. PDK-ja e LDK-ja kanë votuar për ndryshimin e ligjit. Bekim Haxhiu, Shukri Buja, Fatmir Xhelili, Kadri Veseli, këta kanë votuar për ta bërë këtë shkëputje mes pagës minimale dhe pensionit të veteranëve para pesë vitesh, tash si mundet njëri nga këta të cytë protesta kundër një vendimi që këta e kanë marrë para pesë vjetësh”, ka deklaruar Sveçla.

E këtyre akuzave, sot i është përgjigjur deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila gjithashtu në ditën e protestës së veteranëve doli në oborrin e Kuvendit për të biseduar me ta dhe për t’ju garantuar se Partia Demokratike e Kosovës do t’i mbështes kërkesat e tyre.

Në përgjigjen e saj për lajmi.net, Musliu i ka cilësuar deklaratat e ministrit Sveçla si “tallje me hallet e qytetarëve”.

“Revolta qytetarë po rritet çdo ditë ndaj pushtetit dhe keqqeverisjes. Trendi i pakënaqësive është në kulm. Jeta e qytetarëve është rënduar dhe po bëhet e pamundshme në Kosovë. Kulmi i së keqes është tallja e këtij pushteti me popullin që është në luftë për ekzistencë”, ka thënë Musliu.

Deputetja e PDK-së ka deklaruar se “ky pushtet po punon me moton ‘varfro e sundo’”.

Kujtojmë se në protestën e veteranëve që u mbajt para tri ditësh kanë dalë edhe deputetë të tjerë të PDK-së, të cilët kanë tentuar të qetësojnë situatën duke iu kërkuar protestuesve që të mos sulmojnë zyrtarët policorë apo objektet e institucioneve shtetërore.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot kanë deklaruar se nuk e kanë ndërmend të ndalen nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre ndaj Qeverisë, deri sa kanë shtuar se përgjegjësitë do t’i mbajë kryeministri Albin Kurti.